Ulet fondi për emergjencat. 2016-a, me buxhetin më të ulët edhe për kontigjencat

08/01/2016 15:05

Qeveria uli me 5 herë fondin e emergjencave civile në buxhet edhe pse vendi po përballet gjithmonë e më shumë me katastrofa natyrore.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për vitin 2016, buxheti ka vënë në dispozicion të emergjencave civile vetëm 144.9 milionë lekë nga 779 milionë lekë që ishte një vit më parë. Madje të dhënat tregojnë se financimet për emergjencat civile kanë ardhur në ulje nga viti në vit.

Fondi i emergjencave civile është mekanizmi i parë financiar, i cili përdoret për të asistuar familjet e prekura nga katastrofat. Nëse ky fond nuk mjafton atëherë buxheti ka një tjetër zë për të ndihmuar dhe dëmshpërblyer familjet e prekura. Ky është fondi i kontigjencës, por edhe ai është rrudhur.

Në buxhetin e këtij vitit qeveria ka përcaktuar 3 miliardë lekë ose 0.2 për qind e Prodhimit Kombëtar si fond kontigjencë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se përjashto vitin  2013, ky është niveli më i ulët i kontigjencave buxhetore gjatë 8 viteve të fundit.

Në vitet e kaluara ky zë ka qenë minimalisht mbi 4 miliardë lekë ose me kursin e atëhershëm mbi 40 milionë dollarë.

Përvec ndihmës financiare në rast emergjerncsh, fondi i kontigjencës është garancia që ruan buxhetin nga shpenzimet e paparashikuara. Përmbytjet që në ditët e para të vitit, nëse do të çojnë në prekjen e këtij fondi e lënë buxhetit më të ekspozuar ndaj risqeve gjatë muajve të ardhshëm, jo vetëm atyre që lidhen me katastrofat natyrore, por edhe rreziqeve që kanë të bëjnë me performancën fiskale, përkatësisht mosrealizimin e të ardhurave. 

Top Channel