Shijaku e Sukthi një ditë më pas…

08/01/2016 15:15

Një ditë pas përmbytjes në Shijak e Sukth, ujërat janë tërhequr nga pjesa më e madhe e shtëpive dhe bizneseve duke i lënë vend llumit dhe mbetjeve inerte.

Dëmet janë të shumta dhe ende të pallogaritura dhe jo vetëm në banesa, biznese e toka bujqësore, por edhe në infrastrukturën rrugore dhe elektrike.Rrugë dhe ura të prishura, kabina elektrike të përmbytura. Uji dhe balta mbizotërojnë kudo, ndërsa të prekurit nga përmbytja janë të zemëruar. Në gjendje të rënduar psikologjike nga trauma e përjetuar, qëndrojnë në pritje të ndihmës, ndërsa deklarojnë se shtëpitë, mundi e djersa e një jete, u janë kthyer në të pabanueshme.

Shumë prej tyre, tregojnë si e përjetuan tmerrin e ujit që doli jashtë kontrollit. Janë shpëtuar me motobarka e gomone nga shtëpitë ku uji arriti deri në 3 metra, e kanë kaluar natën te të afërm.

Një rast është ai i një gruaje që nuk ka patur mundësi të dalë nga shtëpia për shkak të bashkëshortit invalid. Gjithçka brenda shtëpisë së saj është kthyer në një katrahurë nga vërshimi i ujërave, ndërsa tepsia e bakllavasë është harruar bashkë me atmosferën që sjell ndërrimi i viteve.
 
Në Bashkinë e Shijakut po ndahen punët për të administruar këtë fazë të re të emergjencës. E njëjtë është situata edhe në Sukth. Dëmet pritet të evidentohen nga grupet e verifikimit në terren, ndërsa zjarrfikëset dhe fadromat do të punojnë për të tërhequr ujërat, hapur rrugët dhe larguar inertet e krijuara nga shkatërrimi që shkaktoi uji.

Në Shijak e Durrës 70 kabina elektrike janë jashtë shërbimit për arsye sigurie. 1400 pako me ndihma ushqimore dhe batanije e dyshekë të ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kanë nisur të shpërndahen në zonat e përmbytura, ndërsa nevoja për ndihma të tjera nga donatorët dhe qytetarët është e madhe. Gjithashtu kërkohet ndihmë dhe me psikolog e punonjës socialë për të trajtuar veçanërisht gratë dhe fëmijët.

Top Channel