Policia greke ka dhunuar një grup protestuesish ku midis tyre ndodheshin shumë pensionistë që merrnin pjesë në një miting antiqeveritar në sheshin “Sindagma” në Athinë, mbas tentativës së këtyre të fundit për të arritur në zyrën e kryeministrit, ku një tjetër grup pesionistësh po zhvillonte një protestë.

Policia përdori gazin lotsjellës kunder protestuësve, të cilët kërkonin prej qeverisë të ndalojë refomimin e skemës së pensioneve.

Protesta ishte organizuar prej sindikatës së pensionistëve, të cilët ankohen se qeveria “Tsipras” ka ndërmarrë një ofensivë për uljen e pensioneve dhe rritjen e moshës së pensioneve, një kusht ky i vendosur prej kredidhënësve në këmbim të vazhdimit të programit të ndihmës për vendin në kolaps ekonomik.

Sindikalistët thonë se ka mënyra të tjera për kursimin e miliona eurove që sipas tyre grabiten prej sekserëve të qeverisë, por kjo e fundit deklaron e vendosur se do të përfundojë reformën në skemën e pensioneve dhe do ta shpëtojë atë nga falimentimi.

Më herët qeveria deklaroi se fondet e pensioneve janë në prag faliminetimi dhe e vetmja rrugë për të shpëtuar skemën është një reformim i thellë i saj, ku priten ulje të pensioneve me rreth 12% dhe ndryshimin e përllogaritjes së viteve të punës, çka do të rrisë moshën e pensionit nga 2 deri në 5 vjet.

Më të prekura prej kësaj refome do të jenë femrat dhe grupmoshat me 30 vite punë. Gjithashtu, parashikohet heqja e pensioneve të parakoheshme, pakësimi i të ardhurave për pensionistët me pensione më shumë se 1000 euro, heqja e shumë lehtësirave fiskale për shumicën e kategorive të pensioneve, heqja e pagesave paraprake dhe ndryshimi i mënyrës së llogaritjes për pensionin e invaliditetit.

Mbas tensionit në protestën e zhvilluar, policia deklaroi se nuk ka të ndaluar dhe bëri thirrje për qetësi. Burimë pranë saj thanë se policia nuk dëshironte të kishte konfrontime me pensionstët, por nuk kishte asnjë mundësi tjetër që të parandalonte grupin e protestuesve t’i drejtohej Kryeministrisë ku po zhvillohej një protestë e jashtëligjshme.

Ndërkohë, aktet e dhunës prej policise greke u dënuan prej partive të opozitës. Disa protestues u dërguan në spital për kontroll mjekësor.

Top Channel