Ahmeti në Athinë, pritet nga Kotzias: Dëshirojmë zgjidhje për “emrin”

08/01/2016 00:00

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është takuar këtë të premte në Athinë me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias, me të cilin ka biseduar lidhur me marrëdhëniet greko-maqedonase, por edhe për një sërë çështjesh të karakterit rajonal.

Udhëheqësi i shqiptarëve të Maqedonisë në pushtet tha se, faktori shqiptar në Maqedoni inkurajon bisedimet midis dy vendeve për gjetjen e një emëruesi të përbashkët për çështjen e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ngërç ky që mban Maqedoninë të bllokuar në proceset integruese euroatlantike.

Sipas Ahmetit, tashmë ka ardhur koha që të dy vendet të gjejnë një zgjidhje për emrin dhe t’i hapet menjëherë rrugë procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, një proces që siç dihet është bllokuar prej Greqisë deri në zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.

“Folëm me ministrin e Jashtëm të Greqisë për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në veçanti për çështjen e emrit të shtetit. Është me rëndësi të arrihet një kompromis, që i gjithë rajoni të anëtarësohet në NATO dhe BE, si dhe të vendosen marrëdhënie normale midis vendeve të rajonit për ta pasur gjithnjë e më të përparuar atë. Keni kërkuar që të afrohen mendimet dhe të arrihet kompromisi. Dihet që ne kemi zgjedhje në prill. Sigurisht që BDI ka pasur angazhim anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, ndaj dhe do të kërkojë gjetjen e një zgjidhjeje. Dëshirojmë të inkurajojmë aktorët, që të gjendet zgjidhje për këtë problematikë. Pashë një gatishmëri dhe vullnet të palës greke në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit. E kemi vendosur në prioritet zgjidhjen e kësaj çeshtjeje, pasi ajo ka të bëjë edhe me zhvillimin e vendit”, tha Ali Ahmeti.

Edhe Athina zyrtare shprehet e vendosur në kërkimin e një rrugë për çështjen e emrit të Maqedonisë me përkufizim gjeografik. Athina është investitori i parë në Maqedoni dhe të dy vendet kanë një vëllim të madh shkëmbimesh tregtare midis tyre.

Tashmë mbetet edhe zgjidhja e çështjes së emrit, çfarë i hap rrugën proceseve integruese të vendit. Kotzias i përsëriti Ahmetit vendosmërinë e Athinës për vazhdimin e bisedimeve dhe vazhdimin e partneritetit midis dy vendeve.

Top Channel