IFFHS: De Biasi, trajneri i 6 më i mirë në botë

08/01/2016 00:00

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi ka marrë një tjetër vlerësim pas suksesit me kuqezinjtë. Kualifikimi në Europian ka bërë që Insituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave (IFFHS) ta rendisë si trajnerin e 6 më të mirë në botë.

Vendi i dytë në Grupin I në kualifikueset për “Francë 2016”, duke lënë mbrapa favoritët si Danimarka apo Serbia, ka bërë që italiani me pasaportë shqiptare të jetë në Top 10 trajnerët më të mirë të botës për vitin 2015.

59-vjeçari ka lënë mbrapa emra të mëdhenj si Vicente del Bosque, trajnerin që udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Botëror dhe Europian si dhe teknikun argjentinas, Gerardo Martino.

Lista e trajnerëve më të mirë në botë për vitin 2015, sipas IFFHS-së, kryesohet nga Jorge Sampaoli, trajner që i dha Kilit Kupën e Amerikës. Joachim Low, Roy Hodgson, Marcel Koller dhe Michael O’Neill të cilët kompletojnë Top 5-shen.

Top Channel