Drejtësia, puna nis nga e para pas marrëveshjes me opozitën. Drafti, sipas rekomandimeve të “Venecias”

08/01/2016 00:00

Puna për reformën në drejtësi do të nisë nga e para. Dhe, çfarë është shkruar deri më tani pa praninë e ekspertëve të opozitës, nuk do të merret si e mirëqenë.

Me këtë konkluzion janë mbyllur negociatat e dy ditëve të fundit, të drejtuara nga ambasadori amerikan, Donald Lu. Negociata, të cilat arritën kulmin e tyre, kur ambasadori amerikan dhe ambasadorja e Bashkimit Europian morën pjesë drejtpërdrejt në bisedimet prej dy orësh e gjysmë, në Kryesinë e Kuvendit.

Dy ambasadorët, mesa duket ishin garantë të marrëveshjes mes ekspertëve dhe përfaqësuesve politikë të mazhorancës dhe opozitës, por, megjithatë, ambasadori amerikan, i cili ka marrë përsipër bashkautorësinë e reformës në drejtësi, nuk pranoi të fliste për median.

Për median pranoi të fliste vetëm eksperti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili renditi telegrafikisht 3 pikat e marrëveshjes, e cila përfshin edhe të drejtën për të paraqitur disa formulime për një nen, mjaft që ato reflektojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“U ra dakord së pari për tërheqjen e draftit të pakonsultuar, të qarkulluar ditët e fundit. Së dyti u ra dakord që dokumenti i vetëm, i cili do të diskutohet për të arritur për draftimin e reformës kushtetuese në drejtësi do të jetë ai, i vetmi, opinioni i Komisionit të Venecias. Së treti, u ra dakord që në kushte barazie, ekspertët e opozitës dhe ata të qeverisë të vazhdojnë punën e tyre të përbashkët për të draftuar rekomandimet e Komisionit të Venecias”, tha eksperti i PD-së, Alibeaj.

Kjo që deklaroi zoti Alibeaj ishte gjithçka kishte kërkuar, përpara nisjes së tryezës së negociatave, kreu i opozitës Lulzim Basha, tërheqjen e draftit të njëanshëm dhe draftimin së bashku të amendamenteve sipas rekomandimeve të “Venecias”.

“Këta janë ekspertët tanë dhe unë nuk e fsheh, dal përpara dhe jo pas tyre për t’iu shprehur vullnetin tonë. Asgjë më pak se rekomandimet e ‘Venecias’ nuk është e pranueshme për Partinë Demokratike. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se zbatimin e rekomandimeve të ‘Venecias’. Partia Demokratike ka vullnet të çeliktë për reformën në drejtësi, sikurse për të mos lejuar kapjen politike të drejtësisë”, ishte shprehur më herët kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më herët gjatë ditës, mazhoranca kishte bërë llogaritë brenda vetes. Edi Rama dhe Ilir Meta biseduan për ngërçin e krijuar me reformën në drejtësi dhe, nga ajo që tha Ilir Meta në mesditë, duke inkurajuar ekspertët e opozitës të marrin pjesë në tryezë, u duk qartë se ishte gjetur gjuha e përbashkët me Edi Ramën.

“Jemi fatlumë, sepse kemi një platformë tashmë të përbashkët, që është fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, për të cilat të gjithë aktorët janë shprehur pozitivisht dhe tani nuk mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë deri në fund të mbetemi të përfshirë në këtë proces, që ta përmbyllim me sukses. Do të bëjmë çdo përpjekje për konsensus, i cili arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke u larguar nga tavolina”, tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Kryeministri Rama nuk foli për median, por iu drejtua selisë së Presidencës, ku ka ndenjur gjatë me Presidentin e Republikës. Palët nuk kanë komunikuar për çfarë kanë biseduar, por është e qartë se, me zgjidhjen e ndërmjetme të tryezës së pasdites, tani për tani nuk është i nevojshëm një takim i nivelit më të lartë politik, të cilin Presidenti e kishte marrë përsipër ta koordinonte, nëse do të ishte e nevojshme.

Top Channel