Kosova do të ndihmojë Luginën e Preshevës sa u përket çështjeve kulturore. Gjatë vizitës së ministrit kosovar të Kulturës, Kujtim Shala, në rajonin e Serbisë me popullsi shqiptare, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i cili pritet të realizohet në një periudhë trivjeçare.

Përkundër pengesave ndaj çfarëdo lloj ndihme nga Kosova dhe bllokimit të proceseve për librat shqip, zyrtarët e Preshevës thonë se ky bashkëpunim nuk është aspak në kundërshtim me ligjet serbe.

“Kur qeveria serbe nuk shfaq një gatishmëri për bashkëpunim, nuk mund ta pengojë bashkëpunimin e Luginës me Republikën e Kosovës, atë të Shqipërisë apo me delegacionin europian, qoftë edhe me ndonjë shoqatë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, gjithçka është brenda kontureve të ligjeve dhe Kushtetutës së Serbisë, si dhe statusit të Komunës së Preshevës. Megjithatë, gatishmëria jonë është e pakufizuar për të vendosur urat e bashkëpunimit me këdo”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Ndërsa ministri kosovar tha se, është e rëndësishme që gatishmëria dhe buxheti ekzistojnë. Por, nëse Serbia kundërshton ndihmën nga Prishtina, atëherë masat do të jenë negative.

“Për çdo pengesë që do të kemi në këtë fushë do të ishte absurde. Ne nuk mund të kemi pengesa të kësaj natyre, nuk i lejohet asnjë vendi të vendosë pengesa të kësaj natyre. Megjithatë, unë iu garantoj se, nëse ne do të kemi pengesa bashkëpunimi në fushën e kulturës konkretisht, atëherë edhe qeveria e Kosovës do të zbatojë reciprocitetin”, tha Kujtim Shala, ministër i Kulturës në Kosovë.

Preshevën e kanë vizituar disa ministra nga Kosova, por ky bashkëpunim pa Beogradin, në Serbi është konsideruar si provokim.

Top Channel