Sukth, pas ujit, luftë me baltën; banorët bëjnë bilancin e shkatërrimit

08/01/2016 00:00

Shumë familje në Katund Sukth e kanë kaluar natën në qiell të hapur pas përmbytjeve të një dite më parë. Në disa shtëpi uji nuk është larguar akoma, orenditë shtëpiake janë totalisht jashtë funksionit, ndërsa bagëtitë janë mbytur. Banorët e zonës thonë se një situatë të tillë nuk e kanë hasur prej më shumë se 30 vjetësh.

Shtëpia e familjes Dani, anëtarët e të cilës u larguan me gomone për t’i shpëtuar vërshimit të ujërave, është një prej shumë banesave të dëmtuara. Ajo ndodhet në hyrje të fshatit Sukth. Sot, kur uji është tërhequr, familjarët prej orësh po përpiqen të pastrojnë shtëpinë nga balta që ka mbuluar çdo gjë.

“Katër familjet kanë qenë në qiell të hapur sepse mungon edhe tarraca e shtëpisë nga pamundësia ekonomike. Ka qenë një metër ujë kur ka ardhur gomonia duke nxjerrë njerëzit nga dritarja. Ka 24 orë që pastroj sepse lumi i Erzenit ka sjellë të gjithë llumin dhe ka marrë të gjitha zahiretë e dimrit”, thotë njëri prej familjarëve.

Si kjo familje janë me dhjetëra më në brendësi të Katund Sukthit, ku pamja është thuajse e njëjtë, orendi të shkatërruara, shpendë dhe bagëti të mbytura, madje ka edhe raste ku sendet vazhdojnë të lundrojnë mbi ujë.

“Uji është akoma në shtëpi. Ishte mbi një metër natën e shiut, vërshoi përnjëherë. Nxorra familjarët se kam dy pleq”, thotë një banor.

“Nuk dinim ç’të bënim. Nxorrëm fëmijët se po mbyteshim”, thotë një banore.

Krahas shtëpive, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në bizneset dhe dyqanet përreth. Zonja Kurti, por edhe banorë të tjerë që jetojnë prej vitesh në këtë zonë, pohojnë se kurrë më parë nuk ishin përballur me përmbytje të tilla.

“Njëzet milionë mall mua më ka ikur. Nga ora një e natës deri në 6 të mëngjesit kam punuar për të pastruar ujin, para se të na i shkatërronte të gjitha. Unë jam prej këtej, jam 58 vjeçe dhe nuk e imagjinoja kurrë që do të ishte bërë kjo katastrofë”, thotë Liljana Kurti.

Banorët thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë dhe se askush nuk ka ardhur për të vlerësuar dëmet që u janë shkaktuar. Kjo ka nxjerrë në protestë një grup banorësh të cilët kërkojnë vëmendjen e shtetit për të mos u përballur më me situata të tilla.

Top Channel