Ekzekutim në aksin Lushnje-Fier, 1 i vdekur; kërkime për autorët

08/01/2016 00:00

Një person është vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të premteje në autostradën Lushnje-Fier.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave trupi i viktimës është gjetur në bordin e një makine në vendin e quajtur Mulliri i Artë.

Nga burimet mësohet se dy persona që udhëtonin në të njëjtën makinë me viktimën kanë mbetur të plagosur nga të shtënat.

Agjentët e antikrimit të Drejtorisë së Policisë së Fierit që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë bërë verifikimet e para prej nga kanë zbuluar se, viktima është shtetasi Denis Kasa, 43 vjeç nga Patosi, ndërsa të plagosurit shtetasit Elton Margariti dhe Klement Kastrati.

Të njëjtat burime saktësojnë se, në vendin e ngjarjes automjeti në të cilin ndodheshin tre personat është gjetur në flakë, ndërsa pranë tij janë gjetur një armë zjarri e tipit Kallashnikov, dy krehëra, si dhe gëzhoja automatiku e pistolete.

Ndërkohë, rreth 1 kilometër më tej është gjetur edhe një automjet tjetër i përfshirë nga flakët, që dyshohet të jetë i autorëve të atentatit të armatosur.

“Autorët dyshohet se kanë qëlluar me një armë tip Kallashnikov në drejtim të makinës që udhëtonte viktima dhe dy të plagosurit, një mjet tip “Benz”, por e paqartë mbetet rrethana si është djegur mjeti që drejtonte 44-vjeçari Kasa. Dyshohet se autorët pasi kanë qëlluar me armë janë larguar me një automjet tip “Toyota”, me targa të huaja, të cilën e kanë djegur në mes të një are, rreth 1 kilometër nga vendngjarja”, thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit, forcat e policisë dhe ato të FNSH-së së Fierit kanë nisur kontrollet në gjithë zonën ku dyshohet se janë larguar autorët.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel