Dëmtohet rruga Elbasan-Librazhd, Haxhinasto e Balla: Përgjegjëse, firma

08/01/2016 00:00

Aksi nacional Elbasan-Librazhd ka pësuar një dëmtim të madh si pasojë e prurjeve të shumta të lumit Shkumbin një ditë më parë.

Në rreth 70 metra të kësaj rruge, pranë fshatit Xibrrakë, asfalti thuajse është përgjysmuar duke bërë që lëvizja e mjeteve të kryehet në një drejtim.

Sipas specialistëve, një tjetër prurje e ngjashme e lumit mund ta dëmtojë edhe më tëj këtë pjesë të rrugës.

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe drejtori i Autoritetit Rrugor kanë parë nga afër gjendjen e këtij aksi, i cili sipas tyre ka nxjerrë në pah cilësinë e dobët të punimeve.

Ndërsa deputeti Taulant Balla, prefekti i qarkut dhe specialistë të rrugëve pranë Prefekturës bënë përgjegjes për këtë një kompani, e cila 5 vite më parë, përgjatë rrugës ka shtuar një fibër optike.

Balla e quajti këtë një shkatërrim të paralajmëruar dhe kërkoi që riparimi të mos paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, por nga përgjegjësit.

Gjithashtu, Balla kërkoi nga prokuroria dhe Drejtoria e Rrugëve nisjen e hetimeve për të vënë para drejtësisë ata që kanë shkaktuar shkatërrimin e këtij aksi, ndër më të rëndësishmit në vend.

Top Channel