E veja e “snajperit amerikan” kundër Obamës: Armët, një e drejtë

08/01/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka një kundërshtare të re sa i takon planit të tij për kontrollin e armëve, pas tragjedive të njëpasnjëshme të verifikuara në Shtetet e Bashkuara.

Bëhet fjalë për Taya Kyle, e veja e veteranit të ndjerë të marinës amerikane, Chris Kyle, i njohur si “snajperi amerikan” nga filmi me të njëjtin titull i Clint Eastwood.

Qëndrimin e saj zonja Kyle e ka shprehur gjatë një debati mbi armët të zhvilluar në CNN, përballë presidentit Obama.

“Kontrollet nuk do të mund të na mbrojnë. Dua të shpresoj se nuk do të përfundoj si një nga ato familjet që bien viktima të dhunës së armëve dhe që do të kem lirinë të mbaj çdo armë që kam nevojë. Dhe e di që kontrollet nuk do të më ndalojnë të kem një armë”, ka thënë zonja Kyle.

Sipas saj, masat e propozuara nga presidenti nuk do të mund të parandalojnë vrasjet në masë, sepse personat që vendosin të vrasin shkelin ligjet dhe nuk kanë të njëjtin kod moral të njerëzve të ndershëm.

Bashkëshorti i saj, Chris, komandoja i konsideruar si qitësi më i mirë në historinë e Amerikës, u vra në vitin 2013 në poligonin ku stërvitej nga një ushtarak tjetër që vuante nga shqetësime të stresit post-traumatik.

Top Channel