Gjermani, 31 të ndaluar lidhur me ngjarjet e Vitit të Ri në Këln

08/01/2016 00:00

Një javë fiks nga dhuna kundër qindra grave e vajzave natën e ndërrimit të viteve në Këln, policia gjermane ka ndaluar 31 të dyshuar.

Mes tyre janë edhe 18 refugjatë që kërkojnë azil në Gjermani, bën të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane, Tobias Plate.

Ndërkohë, pak orë pas këtij komunikimi ka ardhur lajmi për shkarkimin e shefit të policisë së Këlnit. Wolfgang Albers, 60 vjeç, është informuar nga ministri i Brendshëm i Landit, Ralf Jaeger se do të dalë në pension të parakohshëm.

Deri më tani, Albers kishte mohuar çdoo përgjegjësi lidhur me ngjarjen dhe kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të dorëhiqej.

Ndërkohë, të gjithë të ndaluarit janë marrë në pyetje; 9 prej tyre janë me origjinë algjeriane, 8 nga Maroku, 5 nga Irani dhe 4 nga Siria. Të tjerët janë dy shtetas gjermanë, një iraken, një serb dhe një shtetas amerikan.

Një ditë më parë policia kishte ndaluar dy të rinj me origjinë afrikano-veriore, të cilët në telefonët celularë kishin video dhe foto të natës së Vitit të Ri, që tregonin episode të ngacmimit me sfond seksual. Sipas mediave gjermane, të dy ata kishin edhe një fletë me përkthimin nga arabishtja të termave seksualë.

Top Channel