“Schengen”, në rrezik nga refugjatët dhe kërcënimet terroriste

08/01/2016 00:00

A po kthehet ëndrra e një Europe me kufij të lirë, në një kujtesë të së shkuarës? Për shumë analistë ekziston frika se, me hapin e ri të mbylljes së kufirit Danimarkë-Suedi, që njihen si vende për politika shumë tolerante, “Schengen”-it po i vjen fundi. Lëvizja e qytetarëve pa viza që prej vitit 1995, nga Greqia deri në Islandë, tani po ballafaqohet me kufizime të forta.

Motoja e “Schengen”-it është “heqja e kufijve të brendshëm të Bashkimit Europian, gjë që do të thotë se të gjithë qytetarët e shteteve në fjalë u përkasin të njëjtës hapësirë dhe ndajnë një identitet të përbashkët”.

Por, në një kohë kur po lind një nacionalizëm i ri europian, për shkak të valës së madhe të refugjatëve dhe një kërcënimi të mundshëm terrorist, të gjithë shtetet po përjetojnë një ndjenjë frike dhe pasigurie. Thuajse çdo vend i Europës ka miratuar masa të forta për vetëmbrojtje, teksa ndër të tjerash kanë krijuar edhe policitë kufitare.

Tashmë Gjermaninë dhe Francën, apo edhe shumë vende të tjera fqinje, nuk i ndajnë vetëm kufijtë, por edhe forcat e armatosura. Thuajse të gjitha qeveritë kanë rivendosur kontrollet kombëtare kufitare. Duke shkuar më tej, austriakët kanë ngritur një gardh teli me gjemba në kufirin me Slloveninë. Nga Hungaria, në Maqedoni e deri në Kroaci, gardhet vazhdojnë e mund t’i gjesh në të gjithë Europën Qendrore dhe Jugore.

Pikërisht në këtë kohë, ithtarët e shoqërive të mbyllura dhe partitë ekstremiste janë duke fituar terren, ndaj atyre që favorizojnë politika më liberale apo regjime të hapura. Ndjenja antiemigrantë është e përhapur kudo në Europë, por ky fenomen më së shumti vihet re në Europën Lindore, ku qeveritë e Hungarisë, Sllovakisë dhe Polonisë kërkojnë medoemos një Europë të mbyllur, ndonëse nga ana tjetër, ata i kërkojnë të gjitha përfitimet që kanë si anëtare të “Schengen”-it.

Nicolas Sarkozy, ish-Presidenti i Francës, i cili shpreson të rimarrë postin në vitin 2017, ka deklaruar haptazi se “Schengeni ka vdekur”. Mark Rutte, kryeministri holandez, i cili njihet si kategorik në vendimet e tij, thotë se ka vend krahasimi me rënien e Perandorisë Romake. “Perandoritë e mëdha shkatërrohen, nëse kufijtë e jashtëm nuk mbrohen”, ka deklaruar ai.

“Ky është argumenti kryesor, që po dëgjojmë ditët e fundit. Schengeni ka mbaruar”, tha Federica Mogherini, shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, duke shtuar se është e trishtueshme për të, të shohë se Europa është mbërthyer nga paniku i afërsisht një milion refugjatëve. Për Mogherinin, kjo është një shenjë dobësie.

Por, krahas valës së refugjatëve, duket se edhe terrorizmi po ndikon në mbylljen e kufijve, pavarësisht se në thelb, zona “Schengen” zotëron mekanizma për t’u përballur me këto kërcënime. Për analistët, ajo çfarë qëndron prapa këtij problemi është se, në mesin e politikbërësve dhe udhëheqësve të unionit mungon vullneti politik për të forcuar dhe për të mbështetur sistemin e “Schengen”-it, i cili gjendet mes një krize.

Por nëse është e afërt dita, që lëvizjes së lirë në Europë t’i vijë fundi, atëherë kjo do të ketë edhe një kosto të madhe financiare. Dështimi i “Schengen”-it parashikon një perspektivë të errët ekonomike për unionin.

Top Channel