Miha apo Garcia, kush shpëton?

09/01/2016 10:55

Kjo javë e Serisë A vendos përballë Romën me Milanin, sfidë vendimtare për fatet e dy trajnerëve, Rudi Garcia dhe Sinisa Mihajlovic.

Roma ndodhet në vendin e pestë në tabelën e renditjes dhe në javët e fundit ka humbur hapin e kryesuesve, ndërsa Milani vjen në këtë sfidë në kërkim të dëshpëruar për pikë, pas humbjes së turpshme 0-1 ndaj Bolonjës në mesjavë.

Por kush rrezikon më shumë mes dy trajnerëve? Mihajlovic beson se ai që është më i rrezikuari në këtë mes është Garcia.

“Përballemi sonte, por nuk mund të bëhen paralelizma. Ai punon me Romën prej dy vitesh, ndërsa unë prej 6 muajsh me Milanin dhe të dyja skuadrat janë aktualisht poshtë pritshmërive”, thotë trajneri serb.

Sipas tij, ambienti roman është më i vështirë për një trajner dhe e thënë kjo nga një ish-futbollist i Lacios, ndoshta është e vërtetë.
Mihajlovic beson se Milani i tij ka grupin e nevojshëm për t’u renditur mes tre vendeve të para, që do të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, ndërsa gjendjen aktuale ia faturon dëmtimeve.

“Mbetem i bindur që Milani në tërësi mund të garojë për 3 vendet e para, por fatkeqësisht kemi patur gjithmonë lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar”, deklaron ai.

Milani vjen në këtë takim pas humbjes me Bolonjën në San Siro, ndërkohë që Roma pas barazimit dramatik 3-3 me Kievon në transfertë.

Top Channel