Aubameyang fiton Topin e Artë, Yaya Toure tërbohet

09/01/2016 11:35

Mbretërimi i Yaya Toure në Afrika u shemb dhe mesfushori i Manchester City-t nuk e ka pritur mirë. Pierre-Emerick Aubameyang është fituesi i Topit të Artë afrikan, pas katër sezonesh radhazi që ky trofe i dorëzohej Toure-së.

Sulmuesi i Dortmundit ka marrë 7 vota më shumë se mesfushori i City-t, kjo edhe falë nisjes mbresëlënëse në këtë sezon, ku në 17 ndeshje ka shënuar 18 gola me verdhezinjtë.

Megjithatë, kjo paraqitje nuk është e mjaftueshme për të marrë këtë trofe, sipas Yaya Toure, i cili mendon se duheshin marrë për bazë më shumë trofetë e fituar në Afrikë.

“Jam mjaft i zhgënjyer. Është e trishtë të shohësh Afrikën që shpërfill trofetë e fituar në Afrikë. Është e turpshme sesi në afrikanët përqendrohemi dhe vlerësojmë më shumë atë që ndodh jashtë kontinentit tonë. Është patetike!”, komentoi Toure.

Yaya Toure, kapiten i Bregut të Fildishtë fitoi Kupën e Afrikës në vitin që lamë pas.

Top Channel