Reforma në drejtësi, ekspertët rinisin shqyrtimet; afati deri më 12 janar

09/01/2016 00:00

10 orët e diskutimeve paradite dhe në mbrëmje u kanë shërbyer ekspertëve të të gjitha palëve që të mbyllin diskutimet rreth rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.

Ata kanë identifikuar çështje që më së shumti i ndajnë. Dhe ato kanë të bëjnë me përbërjen dhe shumicën e cilësuar të zgjedhjes së anëtarëve të insitucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë. Gent Ibrahimi, një nga ekspertët e nivelit të lartë i identifikoi që në drekë çështjet ku nuk ka dakordësi në parim për zgjidhje.

“Po, ka disa momente. Formula e përzgjedhjes dhe emërimit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, formula e përzgjedhjes dhe emërimit të këshillave gjyqësore dhe prokurorialë, çështje që kanë të bëjnë me mënyrën e krijimit dhe organizimit të njësisë së posaçme antikorrupsion. Shumica e cilësuar është një tjetër çështje, në lidhje me të cilën kemi pozicione të kundërta. Do të përpiqemi të gjejmë një të përbashkët, përndryshe si gjithmonë me dy opsione”, deklaroi Ibrahimi.

Të dielën, kur bisedimet të rinisin për formulime konkrete, do të shihet sesa vullnet do të kenë palët për të shkuar drejt një zgjidhjeje kompromisi. Sepse çështjet për të cilat nuk bien dakord janë shtyllat e reformës në drejtësi.

Thënë ndryshe, janë mekanizmat që kontrollojnë sistemin e drejtësisë. Ajo që bie në sy, që kur palët kanë nisur të punojnë pas rekomandimeve të Venecias, është shpejtësia me të cilën po vepron njëri grup i ekspertëve. I pyetur nëse ka një afat për t’i përmbyllur bisedimet, eksperti Ibrahimi u përgjigj:

“Po, kemi “deadline” të martën. Ne duhet të mbarojmë punë të hënën që të martën të futet në lojë procesi politik. Pra, që ta marrë në dorë produktin komisioni ad hoc”.

Ekspertët demokratë thonë se askush nuk i ka njoftuar zyrtarisht për një afat se kur duhet mbyllur puna dhe se askush nuk u shpjegon me çfarë lidhet afati i së martës.

Ky afat nuk u është shpjeguar as mediave, por Top Channel ka mësuar se qeveria po përpiqet të kape disa afate që kanë të bëjnë me integrimin.

Top Channel ka mësuar qeveria shqiptare po lobon me Gjermaninë që, nëse Shqipëria e miraton reformën në drejtësi, dy muajt e ardhshëm ajo do të ketë shansin të marrë nga Këshilli Europian, që mblidhet më 18 mars, rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. 

Top Channel