Përleshje në rrugët e Prishtinës, mbi 10 persona të lënduar

09/01/2016 20:45

Përleshja mes protestuesve dhe pjestarëve të policisë ka vazhduar në rrugët kryesore të Prishtinës dhe si pasojë ka patur të lënduar nga të dyja palët.

Protestuesit, duke hedhur veç mjeteve të forta edhe koktej molotovi i kanë vënë flakën dy autoblindave të policisë, ndërsa një koktej tjetër i ka rënë në trup një zyrtari policor, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Turma është ndjekur edhe me mjete të blinduara të policisë, të cilave më vonë u doli në ndihmë edhe një autoblindë që largoi turmën me topa uji.

Bazuar në të dhënat zyrtare nga Policia e Kosovës, deri në orën 17:00 janë lënduar 10 policë, dy protestues dhe dy gazetarë, ndërsa janë shoqëruar në polici 24 manifestues.

Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, në një konferencë për shtyp tha se zyrtarët policorë janë vetëpërmbajtur, por kanë qenë të detyruar të ndërhyjnë për largimin e turmës, pasi protestuesit nuk kursyen asnjë mjet sulmi.

“Gjatë gjithë kohës protestuesit kanë përdorur dhunë duke mos kursyer dëmtimin e pronës publike, duke mos kursyer djegien e dy veturave zyrtare me koktej molotovi dhe madje duke ia hedhur një të tillë në trup një zyrtari policor. Mirëpo, fatmirsisht ai zyrtar është jashtë rrezikut për jetën. Informacionet e orës 17:00 tregojnë se kanë pësuar lëndime 10 zyrtarë policorë, dy qytetarë dhe dy gazetarë. Policia e Kosovës deri në këto momente ka shoqëruar në stacionet policore 24 protestues”, deklaroi Baki Kelani.

Ndërsa drejtori i Qendrës së Emergjencave, Basri Lenjani ka thënë se për trajtim janë sjellë gjithsej 11 persona. Sipas Lenjanit, të lënduarit janë 9 policë, një kameraman dhe një qytetar. Ai sqaron se disa nga ta janë liruar, ndërsa të tjerët janë ende duke u trajtuar në klinika të ndryshme.

Përleshja mes protestuesve dhe policisë ka vazhduar si asnjëherë më parë deri në periferi të qytetit, në daljen që njihet si “Te Rrethi”. Gjatë përleshjes protestuesit kanë djegur kosha mbeturinash, të cilët i kanë vendosur në rrugët kryesore për të penguar automjetet e Policisë.

Ndërsa lidhur me numrin e pjesëmarrësve në protestë, sipas Policisë së Kosovës ata ishin rreth 8 mijë, ndërsa partitë opozitare kanë deklaruar se ishin rreth 100 mijë vetë.

Polica e Kosovës ka hedhur poshtë deklaratat opozitare se kanë keqtrajtuar disa shtetas të Shqipërisë që ishin nisur për t’iu bashkuar protestës.

Lidhur me këtë, zëdhënësi Kelani tha se 42 shtetas shqiptarë janë ndaluar përkohësisht të vijojnë rrugën, në bazë të proceudrave që zbatohen në pikën kufitare të Morinës.

Top Channel