Greqi, përcaktohet sot kreu i konservatorëve. Meimarakis kundër Mitsotakis

10/01/2016 00:00

Raundi i dytë dhe përfundimtar për zgjedhjen e kreut të konservatorëve grekë ka filluar prej orës 7 të mëngjesit të së dielës, ndërsa rezultatet e para priten 4 deri në 5 orë pas mbylljes së kutive, rreth mesnatës.

Të drejtën e votës për të zgjedhur një nga dy rivalët, që pretendojnë kreun e partisë së dytë më të madhe në vend, e kanë vetëm 404 mijë përkrahësit e “Demokracisë së Re”, që votuan më 20 dhjetor në raundin e parë, i cili nxorri dy fitues prej 4 kandidatëve në garë, Vangjelis Meimarakis dhe Kiriakos Mitsotakis.

Meimarakis, që mori përkohësisht udhëheqjen e partisë konservatore greke verën e kaluar, pas dorëheqjes së kryeministrit Samaras, ka siguruar në raundin e parë 39.8% të votave, 11.3% më shumë se rivali i tij, Mitsotakis. Ai cilësohet pretendenti kryesor për kreun e “Demokracisë së Re”, duke pasur edhe mbështetjen e një prej “baronëve” më të fuqishëm të kësaj partie, të ish-kryeministrit, Kostas Karamanlis.

Por, nga ana tjetër, një pjesë e mirë e votuesve të djathtë vlerëson se ka ardhur koha, që kasta e vjetër konservatore, e cila nuk gëzon më besimin e dikurshëm të qytetarëve, të largohet, për t’iu hapur rrugë figurave të reja, siç është Mitsotakis, djali i ish-kryeministrit Konstandinos Mitsotakis dhe vëllai i ish-ministres së Jashtme, Dora Bakojanis.

“Wall Street Journal”, në një artikull të orëve të fundit me titull “Rreze shprese e Vitit të Ri për Greqinë”, thekson se zgjedhja e Mitsotakis në krye të “Demokracisë së Re”, do të lejonte një riorganizim të ri të konservatorëve dhe shndërrim në një parti moderne, e cila do të mbronte biznesin, sipërmarrësit dhe investimet e reja në vend, duke bashkuar rreth vetes jo vetëm të djathtët, por edhe forcat e qendrës.

Të dy kandidatët kanë bërë thirrje se, pavarësisht rezultatit, rëndësi ka uniteti i “Demokracisë së Re”, e cila në fakt kalon një periudhë të vështirë jo vetëm me konfliktet e brendshme, por edhe me faktin se, në përgjithësi, qytetarët grekë fajësojnë për krizën ekonomike që ka gjunjëzuar vendin, sistemin politik dhe dy partitë e mëdha që qeverisën Greqinë në 4 dekadat e fundit, socialistët e PASOK-ut dhe konservatorët e “Demokracisë së Re”.

Top Channel