Francë, hapen dyert e xhamive për publikun jomysliman

10/01/2016 00:00

Qindra xhami franceze kanë hapur këtë fundjavë dyert për publikun, në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e jomyslimanëve mbi kulturën e tyre, në një kohë kur sulmet e ekstremistëve islamikë kanë krijuar përshtypje negative për fenë myslimane.

Nismës nuk i janë bashkuar të 2 mijë e 500 xhamitë e Francës, por janë përfshirë sidoqoftë ato më me peshë, mes së cilave edhe “Xhamia e Madhe” e Parisit.

Përpjekja, – sipas Zërit të Amerikës, – mbështetet nga organi kryesor mysliman i vendit, Këshilli francez i Fesë Myslimane.

Presidenti i grupit, Anouar Kbibech u tha gazetarëve se, xhamitë po ftojnë njerëzit, që të takojnë “myslimanë të zakonshëm” dhe të shijojnë pije freskuese, të vizitojnë ambientet me shpjegime të guidave, të marrin pjesë në seminare dhe diskutime, apo edhe në ndonjë nga 5 faljet e ditës.

Aktiviteti, i quajtur “një çaj mes vëllezërish”, zhvillohet një vit pas sulmit ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Top Channel