Meksika: “El Chapo” do të ekstradohet në SHBA

10/01/2016 00:00

Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës deklaroi këtë të dielë se, do të nisë procedurat për të ekstraduar ish-baronin e drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, në SHBA.

Sipas autoriteteve meksikane, kjo lëvizje përkon me kërkesat amerikane që nga viti 2014 për ekstradimin e tij. Të premten, “El Chapo” u arrestua dhe u dërgua në burgun nga ku ia mbathi 6 muaj më parë. Sipas analistëve, ekstradimi i tij do të bëhët pikërisht sepse Meksika, me sistemin e saj të korruptuar, është e paaftë që të mbajë në burg një njeri si Guzman.

Mediat theksojnë se, kërkesat e mëhershme të SHBA-ve për ekstradimin e Guzman ishin refuzuar nga Meksika, por tashmë duket se autoritetet meksikane nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi nuk mund të justifikiohet një arrati e radhës nga kryetrafikanti.

Gjithsesi, ekstradimi i “El Chapo”-s në SHBA nuk është çështje e mbyllur, pasi ka shumë hapa ligjore që duhen ndërmarrë. Shumë njerëz besojnë se, ai duhet të përballet me drejtësinë në Meksikë së pari, por duke qenë se kjo është mjaft e cunguar në vendin latin, bën që çështja të shkojë përtej sovranitetit dhe krenarisë kombëtare.

Analistët thonë se, me problemet që Guzman i ka shkaktuar Presidentit meksikan, Enrike Pena Nieto, reputacioni i të cilit është dëmtuar shumë nga arratia e trafikantit, mbase ekstradimi është basti më i sigurtë.

Top Channel