Argjentinë, arratia nga burgu “përplas” autoritetet

10/01/2016 00:00

Autoritetet argjentinase janë duke zhvilluar një gjueti të vërtetë njerëzore, për të kapur dy nga 3 të kërkuarit për një vrasje të trefishtë. Asgjë e çuditshme deri këtu, përveç kaosit dhe turpit për autoritetet vendase, që nuk kanë të qartë se sa prej të kërkuarve janë kapur dhe sa janë ende në liri.

Tre vrasësit ia mbathën nga një burg i sigurisë së lartë dy javë më parë dhe zyra e Presidentit, Mauricio Makri, doli me një deklaratë triumfuese, ku thoshte se ata u kapën me shpejtësi nga policia.

Por zyrtarë të kësaj të fundit, fare pa dëshirë dolën me një tjetër komunikatë, ku thuhej se vetëm një prej të arratisurve ishte kapur dhe se vazhdojnë kërkimet për dy të tjerët. Mediat vendase shkruajnë se, kjo çështje është një problem i madh për presidentin e sapozgjedhur, pasi ai u zotua për luftë të pakompromistë ndaj trafikut të drogës. Tre kriminelët në fjalë ishin dënuar për vrasje që kanë lidhje me trafikun e narkotikëve.

Gjuetia njerëzore, që po zhvillohet në Argjentinë dhe që transmetohet drejtpërdrejt në televizion, ka mbërthyer kombin, ndërsa vijojnë kritikat ndaj autoriteteve, që nuk po munden të gjejnë dy prej të arratisurve.

Një prej tyre, Martin Lanata, ai që është kapur nga policia, u bë i famshëm vitin e shkuar jo për krimet e kryera, por sepse deklaroi se shefi i stafit të Presidentit ishte bashkëfajtor në vrasje.

Megjithëse këto akuza u hodhën poshtë nga autoritetet, dyshimet mes shoqërisë argjentinase janë të mëdha për korrupsionin në shtresat e larta të qeverisjes dhe, arratia e zgjatur e dy kolegëve kriminelë të Lanatës nuk po ndihmon aspak situatën.

Top Channel