Incidentet tronditëse, pezullohet shefi i Policisë në Këln

10/01/2016 00:00

Jehona e incidenteve të mbrëmjes së ndërrimit të viteve ende nuk është fashitur në Gjermani, kur emigrantët akuzohen për të tjera episode të së njëjtës natyrë.

Pak pasi Kancelarja Angela Merkel hodhi propozimin e ashpërsimit të ligjeve për azilkërkuesit, një grup prej gati 15 meshkujsh të huaj, thuhet të kenë ngacmuar e prekur në mënyrë të pahijshme dy vajza, përpara një klubi nate në Mynih.

Kë është vetëm më i fundit i 150 raporteve për ngacmime seksuale ndaj femrave në 5 qytete të ndryshme të vendit.

Ngjarjet e këtyre ditëve e kanë vënë në pozicion të vështirë shefen e ekzekutivit. Vala e kritikave ndaj politikës së saj të dyerve të hapura, që u lejoi 1,1 milionë emigrantëve hyrjen në Gjermani gjatë 2015-s, ka marrë hov të ri, pas episodeve që tronditën mbarë vendin.

Shefi i policisë së Këlnit, Wolfgang Albers u pezullua nga puna, pas akuzave se kishte fshur të dhëna mbi incidentet e natës së Vitit të Ri. Ministri i Brendshëm i Landit të Renanisë Veriore- Vestfalisë, Ralf Jager, argumentoi se një hap i tillë ishte me shumë rëndësi për rivendosjen e besimit publik ndaj forcave të rendit. Jager sqaroi se, kishte diskutuar personalisht me Albersin dhe se, shefi i policisë kishte treguar “shumë mirëkuptim”.

Vendimi zyrtar u mor pak, pasi policia u kritikua për paaftësinë e saj për të parandaluar rreth 1000 vetë nga zhvatja dhe ngacmimi seksual i grave në stacionin qendror të trenit në Këln, më 31 dhjetor.

Albers u akuzua konkretisht se nuk kishte informuar publikun për sulmet dhe se nuk kishte publikuar vendet e origjinës së agresorëve të përshkruar si të rinj me tipare arabe dhe afrikano-veriore. Kryetarja e Bashkisë së Këlnit, Henriette Reker u distancua nga drejtuesi i policisë, me pretendimin se asaj vet nuk i ishte përcjellë e plotë tabloja e sigurisë atë natë.

Top Channel