Tiranë, Veliaj: Bashkia do të zhvendoset në Bulevardin e ri

10/01/2016 00:00

Në “Bulevardin e ri”, që përshkon segmentin nga ish-stacioni i trenit deri në lumin e Tiranës, do të zhvendoset Bashkia e Tiranës. Këtë e bëri të ditur kryebashkiaku Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve në këtë zonë.

“Ne kemi marrë vendimin për të zhvendosur Bashkinë e Tiranës në Bulevardin e ri. Sigurisht, do të ruajmë ndërtesën ceremoniale në qendër të sheshit ‘Skënderbej’, ndërkohë që 28 zyra të ndryshme të shpërndara nëpër qytet, që ofrojnë shërbime të bashkisë, do të grupohen në një ndërtesë të madhe administrative në Bulevardin e ri”, tha Erion Veliaj.

Sipas Veliajt, edhe disa përfaqësi diplomatike kanë shprehur interesin, që selitë e tyre t’i zhvendosin përgjatë “Bulevardit të ri”, në një gjerësi prej 70 metrash. Por, pjesë e këtij projekti do të jetë edhe një tjetër parkim.

“Ambicja jonë është që, brenda këtij viti, ne të kemi filluar punimet e parkingut nëntokësor për 400 makina, në zonën ku Unaza dhe ish-stacioni i Trenit puqen me Bulevardin e ri. Kemi vendosur një hapësirë për trenin që do të mbërrijë në Tiranë, si një stacion terminal, por jo si një parking vagonash”, tha më tej Veliaj.

Në ditët në vijim mbetet ende për t’u zgjidhur çështja e shpronësimit të disa familjeve në 200 metërshin e parë të “Bulevardit të ri”, ndërsa do të nisë edhe ndërtimi i rrjetit sekondar të drenazhimit për mbledhjen e ujërave të bardha në qendër të bulevardit. Më pas, projekti do të vijojë me shtresat e rifiniturës, asfaltin, bordurat e gurit, trotuaret dhe gjelbërimin.

Top Channel