Korçë, dërgohet për gjykim grupi prej 10 shpërndarësish droge

10/01/2016 00:00

Pas informacioneve paraprake për një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike, Prokuroria e Korçës zhvilloi hetime disaditore ndaj 10 personave të dyshuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe tashmë i ka dërguar ata për gjykim.

Në pranga kanë përfunduar Bledjon dhe Sajmir Liçe, Elton (Gëzim) Koçoli, sikurse dhe Gentian e Marius Koçoli, Ronaldo Kovaçi (Trimi), Eraldi Zejnuni, Mario Tepexhiku, Dorian Sako dhe Marjus Lako.

Siç raportohet, 10 të dyshuarit ishin pjesë e një grupi që shpërndante lëndë narkotike të tipit kokainë, heroinë dhe kanabis sativa në zonën e ish-Konviktit të qytetit të Korçës, duke i orientuar blerësit që ta konsumonin atë brenda ambienteve me qëllim moszbulimin nga ana e autoriteteve shtetërore.

Të akuzuarit kishin krijuar edhe një strukturë “mbrojtëse” të tipit roje në dy hyrjet e godinës së ish-Konviktit, në mënyrë që të evidentonin dhe të shmangnin ndonjë ndërhyrje të policisë për kontroll. E megjithatë, ata nuk mundën t’i shpëtonin operacionit të policisë të datës 24 korrik të 2015-s, kur edhe ranë nën pranga. Tashmë pritet vendimi i gjykatës ndaj tyre.

Top Channel