PD: Veliaj mburret me punën e administratës “Basha”

10/01/2016 00:00

“Lufta” për të marrë autorësinë e projektit të “Bulevardit të ri” të Tiranës, mes ish-zyrtarëve të bashkisë së kryeqytetit dhe atyre aktualë, nuk ka të ndalur dhe, sa herë që përmendet diçka në lidhje me atë projekt, apo edhe kur inspektohen punimet që po kryhen në atë pjesë të kryeqytetit, gjithnjë lindin reagime dhe kundërreagime mes administratës “Basha” dhe asaj “Veliaj”.

Edhe këtë të dielë, pas daljes së kryebashkiakut Veliaj për inspektimin e punimeve, ku dha edhe njoftimin se në zonën e “Bulevardit të ri” do të zhvendoset Bashkia e Tiranës së bashku me disa seli të përfaqësive diplomatike, ka ardhur reagimi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike.

Sipas tyre, “pasi braktisi qytetarët në kulmin e përmbytjeve dhe i la në mëshirë të fatit për një udhëtim turistik në Srilanka, kryemashtruesi i Bashkisë së Tiranës mburret me punët e të tjerëve, sepse për vete s’ka asnjë bilanc në 5 muaj”.

“Projekti i ‘Bulevardit të ri’, sigurimi i fondeve, nisja dhe avancimi i punimeve u kryen tërësisht nga administrata ‘Basha’. Veliaj dhe shefi i tij, të nxirë nga smira e bllokuan për dy vite në mënyrë antiligjore dhe kriminale këtë projekt, si dhe mijëra vende të reja pune që hapeshin përmes tij”, thuhet në komunikatën e grupit të këshilltarëve të djathtë.

Më tej, këshilltarët e PD-së e akuzojnë Veliajn për reduktim të hapësirave të gjelbërta, siç bënë edhe kur u shpall njoftimi për ndryshimin e projektit. “Nga një sipërfaqe sa 7 herë Parku Rinia, Veliaj – siç e ka deklaruar vet, – e ka reduktuar në një sipërfaqe sa 5 herë Parku Rinia. Pra një sipërfaqe sa dyfishi i Parkut Rinia do të betonizohet, përkundrejt ryshfetit për Veliajn dhe shefin e tij”.

Sipas këshilltarëve të PD-së, “kryemashtruesi i Tiranës ndryshe thotë e ndryshe bën. Siç ndodhi edhe me çmimin e biletës, teksa u betua dhe përbetua se nuk do ta rriste, por as 24 orë më pas, pasi siguroi ryshfetin e dëshiruar, rriti çmimin e biletës për qytetarët e Tiranës”.

Top Channel