Librazhd, bashkia: Urgjent financimi i pritës për lumin Shkumbin

10/01/2016 00:00

Bashkia e Librazhdit i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë të financojë sa më parë projektin e dorëzuar nga ky institucion, për ndërtimin e një prite në lumin Shkumbin, për të evituar përmbytjet në rastet e reshjeve të dendura.

Shkatërrimi i pritës në pjesën perëndimore të qytetit të Librazhdit ka bërë që lumi të zgjerojë shtratin e tij, ndërkohë që shumë herë në këtë zonë janë rrezikuar edhe shtëpi. Tashmë lumi rrezikon rrugën që lidh disa fshatra dhe terrenin sportiv të Librazhdit.

Edhe deputeti Taulant Balla ka mbështetur kërkesën e Bashkisë së Librazhdit, e cila kërkon një ndërhyrje urgjente në këtë zonë. Ai tha se neglizhenca vit pas viti ka çuar në këtë gjendje, teksa tashmë gjendja paraqitet emergjente.

Gjatë vitit të kaluar, në këtë zonë të Librazhdit u evakuuan disa familje, pasi lumi rrezikoi banesat e tyre. Një ndërhyrje e Bashkisë Librazhd i dha një zgjidhje provizore këtij problemi, por tashmë nevojitet ndërtimi i një dige, që t’i japë një zgjidhje përfundimtare.

Top Channel