4 pyetje publike kryeministrit, PD: “Skavica”, projekti më korruptiv

10/01/2016 00:00

Skavica ka detyruar Partinë Demokratike të reagojë sërish ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e bëjnë përgjegjës për refuzimin e transparencës mbi këtë projekt, të cilin demokratët e konsiderojnë si “ndoshta më korruptivi dhe pazari më i dyshimtë i Ramës me pasuritë publike”.

“I kapur në këtë aferë, Edi Rama vazhdon të refuzojë transparencën, ashtu siç e nisi këtë histori me bisedime të fshehta e sekrete. Partia Demokratike e paralajmëroi këtë aferë të dyshimtë më 29 prill të vitit të kaluar, por qeveria e mohoi. Në fund të vitit qeveria e pranoi, madje si arritje të sajën. Edhe pse Edi Rama refuzon të përgjigjet, pyetjet që kanë qytetarët dhe opinioni publik mbeten të njëjtat: A ka bërë ai negociata të fshehta e të paligjshme me kompaninë Suzer? Pse u mbajt sekret propozimi i Suzer dhe vlerësimi i saj me bonus? Pse vendimi i qeverisë për Suzer nuk u publikua bashkë me vendimet e tjera të datës 23 dhjetor, por vetëm pasi e denoncoi opozita? Sa herë e ka vizituar Turqinë në dy vitet e fundit ministri Ahmetaj dhe me çfarë qëllimesh?”, pyeti sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma.

Ajo e mbylli deklaratën me paralajmërimin se “Edi Rama do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët, për aferat e tij korruptive me pasuritë publike”.

Top Channel