“Drejtësia”, PD ikën sërish nga tryeza; s’ka konsensus për shumicën e cilësuar

10/01/2016 00:00

Dështojnë bisedimet mazhorancë-opozitë për reformën në drejtësi. Ekspertët e opozitës u larguan sërish nga tryeza. Megjithatë ata të mazhorancës kanë vazhduar punën dhe diskutimet janë mbyllur në mbrëmje.

Sokol Sadushi, ekspert i mazhorancës, tha është rënë dakord me përfaqësuesit e opozitës të dilnim me një draft, por ata janë larguar dhe nuk kanë pranuar të vijojnë diskutimet. Ai shtoi se puna ka vijuar dhe tashmë është drejt fundit.

Opozita ka këmbëngulur që këto kandidatura të miratohen në kuvend, me shumicë kushtetuese, prej 93 votash. Ndërsa ekspertët e nivelit të lartë janë të qëndrimit se në kushtet e vështirësisë për të arritur këto vota në Parlamentin shqiptar, ata të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Por, ky variant është kundërshtuar nga ekspertët e opozitës, sikundër mësohet se ata kanë kundërshtuar edhe lënien në fuqi të të dyjave varianteve për t’u shqyrtuar në prani të të dërguarve të Venecias në Tiranë në ditët e ardhshme.

Palët ndahen gjithashtu edhe për variantet e mekanizmave zhbllokues të zgjedhjeve së anëtarëve të gjyqësorit nga Parlamenti.

Ky qëndrim ka ndarë thellësisht palët, duke çuar në largimin e ekspertëve të opozitës nga tryeza, duke lënë të paqartë për mënyrën sesi do të vijojë procesi tani.

Qëndrimi i opozitës në tryezë shihet nga pala tjetër edhe si kundërshtim i asaj që ata kishin pohuar në prani të ambasadorëve, atij amerikan dhe asaj të BE-së, për gjetjen e kompromisit mbi zgjedhjen me 84 vota të anëtarëve të Gjyqësorit në Parlament.

Sipas tyre, ekspertët e opozitës kishin pranuar në prani të ambasadorëve të rinisnin diskutimin duke gjetur një variant rreth zgjedhjes me shumicë të cilësuar, ndërkohë që qëndrimi i këtyre dy ditëve për shumicë kushtetuese, është tërësisht i ndryshëm nga ai që kishin mbajtur në prani të Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Mesa duket, për diplomatët e huaj në Tiranë do të rinisë sërish puna bindëse me palët politike në Tiranë për gjetjen e kompromisit, për atë që ambasadori amerikan e cilësoi si reformën më të rëndësishme të Shqipërisë në 25 vjet.

Top Channel