Të çmendur pas Zidane. Media, elozhe trajnerit francez

10/01/2016 00:00

Ardhja e Zinedine Zidane në bankinën e Realit duket se pati efekt të menjëhershëm. Skuadra madrilene fitoi pastër 5-0 ndaj Deportivo La Korunjës, duke zhvilluar një lojë që rriti entuziazmin jo vetëm në median spanjolle, por edhe në atë franceze.

“I mrekullueshëm”, shkruan e përditshmja “AS” në faqen e parë të saj, ndërsa “Marca” publikon artikullin me titull “Kështu fiton MadriZ”, duke bërë një lojë fjalësh me inicialet e francezit.

“El Mundo Deportivo” vë në dukje sjelljen e futbollistëve në fushën e lojës që ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që kishin kur në bankinë ishte Benitez. “Lojtarët e Realit luajtën  shumë mirë, gjë që nuk e bënin kur në stol ishte Benitez”, shkruhet te kjo e përditshme. Ndërsa “Sport” thekson; “Goleadë balsamike e Realit të Madridit”.

Në France, “Le Parisien”, që vuri në dukje edhe paraqitjen e Gareth Bale, publikon artikullin: “Debutimi i ëndërruar nga Zidane, një start fantastik”. Kurse L’Equipe shkruan: “Festa e Zidane, 72 mijë persona ishin në “Santiago Bernabeu” për të parë sfidën e parë të idhullit të tyre si trajner të Realit.

Top Channel