PD: Mazhdoranca nuk reflektoi mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias

10/01/2016 00:00

Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate pas largimit të ekspertëve të saj nga takimi për reformën në drejtësi. Sipas opozitës, pavarësisht asaj që u ra dakord një ditë më parë, pa asnjë argument ekspertët nga mazhoranca refuzuan ta analizonin propozimin e tyre.

“Edhe pse dje (e shtunë) në mbrëmje u ra dakord parimisht për të reflektuar rekomandimin nr. 55 të Komisionit të Venecias dhe që propozimi i ekspertëve të Partisë Demokratike do të shqyrtohej me kujdes, sot (e diel) që në fillim të mbledhjes, pa asnjë argument, ekspertët e caktuar nga mazhoranca refuzuan ta analizonin këtë propozim, duke treguar vendosmërinë e tyre për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron moskapjen politike të sistemit të drejtësisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje”, thuhet në deklaratë.

Pikërisht kjo, sipas PD-së, ishte edhe arsyeja e largimit të ekspertëve të saj nga tryeza e reformës. Sipas opozitës, kjo mbledhje nuk ofronte asnjë mundësi për zgjidhje të përbashkëta.

Top Channel