Formula 1 dhe Moto GP, sa përplasje datash në 2016-n!

10/01/2016 00:00

Formula 1 dhe MotoGP po përgatiten për një sezon shumë të ngjeshur në vitin 2016. Në total gjatë këtij viti do të zhvillohen 39 gara, 21 në Botërorin e Formula 1 që përbën edhe një rekord për këtë sport, ndërsa 18 janë në MotoGP.

Por ajo që të bën përshtypje është se këtë vit, dy kampionatet më prestigjioze të garave automobilistike dhe motoçiklistike do të nisin në të njëjtën ditë, në 20 mars. Formula 1 do të startojë sezonin me Çmimin e Madh të Australisë në Melburn, ndërsa MotoGP do ta nisë 2016 me garën e Katarit që zhvillohet nën dritën e prozhektorëve.

Nuk është hera e parë që të dy këto botërorë nisin në të njëjtën ditë, më parë kjo ka ndodhur në 8 raste të tjera. Herën e fundit që u pa një gjë e tillë ishte në vitin 1995, por në atë kohë kalendari i këtyre evenimenteve nuk ishte kaq i ngjeshur pasi zhvilloheshin 13 gara në MotoGP dhe 17 në Formula 1.

Megjithatë 20 marsi nuk është e vetmja datë ku vihet re koençidenca e zhvillimit të garave të Formula 1 e MotoGP. Një situatë të tillë do ta shohim edhe në 5 raste të tjera, në 3 prill, 4 shtator, 23 e 30 tetor e 13 nëntor.

Në këto përplasje datash, ajo që të bie në sy është 4 shtatori kur në Formula 1 do të zhvillohet Çmimi i madh i Manzës, ndërsa pilotët e MotoGP do të garojnë në pistën e Silverston në Angli.

Për vitin 2016, botërori i MotoGP do të mbyllet në 13 nëntor, ndërsa ai i Formula 1, 2 javë më vonë në 27 nëntor me Çmimin e Madh të Abu Dhabit.

Top Channel