NBA, askush s’e ndal Golden State

10/01/2016 00:00

Golden State është kthyer në një makineri fitoresh. Skuadra kampione e NBA në ndeshjen e saj të radhës mposhti Sacramento Kings në “Sleep Train Arena” 128-116, duke regjistruar suksesin e 35 sezonal të saj.

Stiven Kërri ishte i papërmbajtshëm në këtë ndeshje. MVP i sezonit të kaluar e mbylli këtë sfidë me38 pikë, ndërkohë që mjaft mirë u shfaq edhe Green me 25 pikë të shënuara dhe 9 topa në tabelë. Kjo formë që po kalon Golden State, po e afron gjithnjë e më shumë me rekordin e Chicago Bulls që sezonin 1995-96 e mbylli me bilancin 72 fitore dhe vetëm 10 humbje.

Miami Heat e lë Salt Lake City me kocka të thyera. Skuadra nga Florida u mund nga Utah Jazz 83-93, duke shënuar humbjen e saj të 15 në këtë sezon dhe tashmë e sheh veten në vendin e pestë në Konferencën e Lindjes.

Chris Bosh shënoi 25 pikë në këtë ndeshje, por kjo nuk i mjaftoi Heats për të evituar këtë disfatë. Të njëjtin fat pati edhe Chicago Bulls që humbi ndaj Atlanta-s në fushën e kësaj të fundit 105-120, pavarësisht formës së mirë të shfaqur nga Jimmy Butler dhe Nicola Mirotic.

Në ndeshjet e tjera të NBA, LA Clippers fitoi me Charlotte 97-83, Uashington mundi Orlandon 105-99, Detroit mposhti Brooklyn 103-89, ndërsa Toronto triumfoi ndaj Filadelfias 108-95.

Top Channel