Rally Dakar 2016, Meo dhe Sainz fitojnë në etapën e 7

10/01/2016 00:00

Antoine Meo është fituesi i etapës së 7 në kategorinë e motorëve në Rally Dakar. Piloti francez, i cili regjistroi suksesin e tij të parë në edicionin e 38 të këtij aktiviteti e përshkoi këtë etapë me kohën 2 orë 27 minuta e 27 sekonda.

Në vendin e dytë u pozicionua argjentinasi Benavides me 1 minutë e 53 sekonda më shumë, ndërkohë që portugezi Gonsalves me Honda nuk shkoi më shumë se vendi i tretë në këtë etapë. Në renditjen e përgjithshme për motorë, Gonsalves kryeson me 22 orë 52 minuta e 30 sekonda i ndjekur në vendin e dytë nga Tobiy Price, ndërsa i treti pozicionohet sllovaku Svitko.

Në kategorinë e makinave ata që dominuan ishin Sebastian Loeb dhe Karlos Sainz. Në fund fituesi i etapës së 7 ishte piloti spanjoll me kohën 3 orë 19 minuta e 3 sekonda, ndërsa Loeb u detyrua të kënaqej me vendin e dytë me 38 sekonda më shumë se Sainz.

Vendi i tretë këtë radhë i takoi kampionit në fuqi të Rally Dakar për këtë kategori, Nasser Al Atijah, me një kohë prej 3 minutash e 22 sekondash më të lartë se ajo e Sainz.

Në klasifikimin e përgjithshëm edhe pas etapës së shtatë vazhdon të kryesojë Sebastian Loeb i shkëputur me 2 minuta e 22 sekonda nga vendi i dytë që mbahet nga Peterhansel, ndërsa në vendin e tretë gjendet spanjolli Sainz.

Për t’u theksuar është se etapa e 7 e Rally Dakar shënoi edhe një viktimë. Në kilometrin e 82, Lionel Bod me Mistubishi Lancer goditi për vdekje një tifoz 63-vjeçar. Aksidenti ndodhi në territorin bolivian dhe autoritetet tashmë kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje.

Top Channel