Kosovë, opozita: Qeveria “Mustafa” nuk e ka më legjitimitetin të qeverisë me vendin

10/01/2016 00:00

Opozita kosovare tha se protesta e së shtunës dëshmoi se qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi, nuk ka më legjitimitet institucional dhe demokratik të vazhdojë të qëndrojë në krye të shtetit.

Në një konferencë për media të mbajtur në sheshin e Prishtinës, kryetarët e tri subjekteve politike opozitare të shoqëruar edhe nga bashkëpartiakët e tyre, kërkuan edhe njëherë dorëheqjen e qeverisë dhe Kosova të përgatitet për zgjedhje të reja parlamentare. Ndërsa, deri në arritjen e këtij qëllimi protestat nuk do të ndalen.

 “Qytetarët e Kosovës çuan dy mesazhe, e para: Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një qeveri që e ka shkelë kushtetutën; dhe mesazhi i dytë që është për qeveritarët: Populli nuk pranon që kjo qeveri të vazhdojë, prandaj ata duhet të dorëhiqen dhe vendi të dalë sa më shpejtë nga kjo krizë politike, vendi të shkojë në zgjedhje dhe kështu të anulohen të dyja këto marrëveshje”, deklaroi kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Përfaqësuesit e opozitës nuk komentuan dhunën e ushtruar nga disa protestues mbi pronën publike dhe përplasjet me policinë. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, theksoi se porosia e protestuesve të shtunën ishte largimi i qeverisë. Ndërsa, për Ramush Haradinajn, qeveria “Thaçi-Mustafa” i ka orët e numëruara.

 “Mendoj që porosia e kësaj proteste është e 100 mijë qytetarëve që kanë marrë pjesë aty, ku janë bashkuar një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të republikës dhe të cilët me ngulm kanë kërkuar largimin e qeverisë, pra protesta e djeshme (e së shtunës) është përmbyllur me një kërkesë të qartë, që shkelësit e kushtetutës dhe ata që e kanë dëmtuar rëndë interesin e republikës nuk mund të mbesin më në krye të vendit”, deklaroi kreu i VV-së, Ymeri.

“Dje (e shtunë) i kemi kërkuar qeverisë së vendit të largohet. Këtë e kanë kërkuar qytetarët e vendit, numërimi mbrapsht ka filluar, këta duhet të reflektojnë”, tha Haradinaj.

Mijëra qytetarë të Kosovës të shtunën iu bashkuan protestës së opozitës e cila bënte thirrje për dorëheqjen e qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Protesta nisi me një marsh paqësor nga Biblioteka Kombëtare, por eskaloi kur disa protestues hodhën shishe molotovi drejt objektit të qeverisë, në momentin që përfaqësues opozitarë ende po mbanin fjalimet para qytetarëve.

Top Channel