Akuzat e PD, reagon Qeveria: Procedura konkurruese e HEC-it nuk është zhvilluar

10/01/2016 00:00

Qeveria ka reaguar për akuzat e opozitës për dhënien me koncesion të ndërtimit të HEC-it të Skavicës.

Qeveria sqaron që në krye se është i pavërtetë referimi për Skavicën, pasi procedurat e hapura bëjnë fjalë për HEC-in e Katundit të Ri, një tjetër vepër energjetike mbi lumin Drin.

Qeveria thotë se bashkimi i shoqërive “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”, ka shfaqur interesim për ndërtimin e HEC Katund i Ri, Sqarimi shton se përmes një vendimi të Qeverisë është vlerësuar projekti i specifikuar paraqitur nga këto dy kompani, duke miratuar bonusin prej 8 pikësh.

Sqarimi shton më tej, se në rastin e HEC Katund i Ri, qeveria ka përcaktuar të mos ketë më sanksionim të detyrimit paraprak të shtetit për të garantuar blerjen e energjisë. Kjo nënkupton sipas saj, se investimi për këtë vepër do të jetë plotësisht privat dhe investitori do duhet të marrë përsipër të gjejë tregun për energjinë e prodhuar. Nga të gjithë investitorët e interesuar për HEC-et në Drinin e Zi, bashkimi i “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” ishin të vetmit që parashikonin këtë element, thotë sqarimi.

“Në një kohë kur procedura konkurruese nuk është zhvilluar ende, nuk ka se si të ketë shoqëri fituese të garës- sqarohet ne deklarate. Qeveria shqiptare nuk mund të orientojë investitorët se çfarë duhet të publikojnë apo jo në faqet e tyre të internetit. Detyra e qeverisë shqiptare është të garantojë respektimin e ligjit dhe një proces e garë transparente nga fillimi në fund”, thotë ndër të tjera sqarimi i Qeverisë shqiptare referuar akuzave të opozitës.

Top Channel