“Drejtësia”, ekspertët gati draftin. Sadushi: Të hënën dorëzohet dokumenti

10/01/2016 00:00

Pas më shumë se 6 orësh diskutime, ku pjesa më e madhe u zhvillua pa praninë e përfaqësuesve të opozitës, të cilët e braktisën tryezën, ekspertët e nivelit të lartë për Reformën në Drejtësi deklaruan se kanë gati draftin përfundimtar.

“Ne do të shkojmë me draftin që ka përgatitur grupi i ekspertëve të nivelit të lartë. Një draft që ne presim nga opozita të sjellë opinionin e saj dhe të jetë pjesë e rëndësishme e draftit të përbashkët. Ata sot ikën se nuk patëm mundësi për të gjetur pika të përbashkëta për disa çështje të caktuara. Por ne procesin e kemi afër fundit dhe natyrisht që ata janë të mirëpritur të japin opinionet e tyre”, tha Sokol Sadushi.

Një tjetër pikë që ka ngjallur debate mes palëve ka qenë dhe ajo e afatit të dorëzimit të draftit, gjë për të cilin Sadushi ka dhënë këtë shpjegim.

“Ne jemi në dijeni se përfaqësues të Komisionit të Venecias do të jenë të pranishëm në datën 21 janar dhe nga kjo pikëpamje ne duhet të dorëzojmë draftin brenda ditës së nesërme ose të pasnesërme, me qëllim që Komisioni të gjykojë mbi draftin tonë dhe të vendosi politikisht mbi këtë çështje. Ne shpresojmë që nesër ta mbyllim draftin.

Në mbledhjen e nisur rreth mesditës të së dielës debati kryesor që çoj dhe në largimin e opozitës nga tryeza ishte mungesa e konsensusit për votat që duhet të zgjedhin anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të drejtësisë.

Opozita ka këmbëngulur që këto kandidatura te miratohen në Kuvend, me shumicë kushtetuese, prej 93 votash në Kuvend. Ndërsa ekspertët e nivelit të lartë janë të qëndrimit se në kushtet e vështirësisë për të arritur këto vota në parlamentin shqiptar, ata të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Por ky variant është kundërshtuar nga ekspertët e opozitës, sikundër mësohet se ata kanë kundërshtuar edhe lënien në fuqi të të dyjave varianteve për t’u shqyrtuar në prani të të dërguarve të Venecias në Tiranë në ditët e ardhshme.

Palët ndahen gjithashtu edhe për variantet e mekanizmave zhbllokues të zgjedhjes së anëtarëve të gjyqësorit nga Parlamenti.

Rreth pasdites, Partia Demokratike me anë të një njoftimi për shtyp ka komentuar zyrtarisht atë çfarë ka ndodhur në tryezën e ekspertëve të Reformës në Drejtësi.

Sipas saj, pika e parë e diskutimit ishte reflektimi i rekomandimit të Komisionit të Venecias mbi nevojën e eliminimit të kapjes politike të sistemit të drejtësisë, sipas një propozimi konkret kompromisi të ofruar në përputhje me të nga ekspertët e Partisë Demokratike.

Top Channel