Polonia fton ambasadorin gjerman për shkak të komenteve të politikanëve

10/01/2016 00:00

Ministria e Jashtme polake ka kritikuar politikanët gjermanë për atë që e ata e kanë quajtur komente “anti-polake”, por pa dhënë ndonjë shpjegim se për cilat komente bëhet fjalë.

Kjo ministri ka ftuar në një takim ambasadorin gjerman në Poloni për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj këtyre komenteve.

Sidoqoftë, disa politikanë gjermanë kanë qenë shumë kritik me qeverinë e re, e cila me disa vendime të fundit ka ngjallur pakënaqësi edhe në popull duke bërë që të organizohen protesta në Varshavë.

Një ligj i sapo miratuar për mediat i ka dhënë kontroll të plotë të radios dhe televizionit publik polak një kompanie të afërt me qeverinë.

Gjithashtu, qeveria po kërkon që të ketë më tepër kontroll ndaj gjykatave dhe shërbimit civil.

Të gjitha këto kanë bërë që të shtunën të organizohet një protestë në Varshavë, ndërsa Presidenti i Parlamentit europian, Martin Schulz, një politikan i majtë gjerman, të akuzojë qeverinë polake për veprime “putiniste”.

Ndërkohë, edhe komisioneri europian gjerman, Guenther Oettinger, kërkoi krijimin e një mekanzimit të ri për vendet që konsiderohen se kanë shkelur ligjet e BE-së, duke aluduar në qeverinë polake.

Top Channel