Juventusi ngjitet në vendin e dytë, merr fitoren e 9 radhazi

10/01/2016 22:45

Edhe pse një vit më parë u shpallën kampion të Italisë, Juventusi e nisi si mos më keq këtë sezon, por kur është mbyllur faza e parë e Serie A, ata janë ngjitur në vendin e dytë në renditje, vetëm një pikë më pak se Napoli kryesues, duke treguar se janë ata pretendentët kryesorë sërish këtë sezon.

Të besuarit e Allegri-t morën fitoren e 9 radhazi mbrëmjen e së dielës, duke fituar në fushën e vështirë të Sampdorias me rezultatin e 1-2.

Francezi Pogba shënoi në pjesën e parë të takimit, ndërsa me të filluar e dyta ishte Khedira që dyfishoi shifrat.

Pas këtij goli, Juventusi kërkoi më shumë të menaxhonte rezultatin duke u tërhequr disa pas, por kjo i ndëshkoi dhe Cassano ngushtoi rezultatin në minutën e 65-të. Por vetëm kaq pasi minutat e mbetura u menaxhuan mirë nga bardhezinjtë, duke marrë një fitore me mjaft vlera në javën e 19 të Serie A.

Tashmë Juventusi është në kuotën e 39 pikë, po aq sa Interi, i cili prej javësh ishte në krye të kampionatit, por humbja e fundit në “San Siro” i kushtoi dy vende në renditje, të cilën e kryeson Napoli me 41 pikë.

Top Channel