Linda Halimi: Kam punuar si skllave për trupin

11/01/2016 11:45

Linda Halimi nuk e ka fshehur aspak që ka një karrierë të pasur artistike në trojet shqiptare. Nëse kjo nuk është thënë në klipin e saj prezantues në “American Idol”, kjo jo sepse ajo ka dashur kështu.

Në të parën intervistë pas suksesit amerikan, në “Wake Up” “Top Channel”, Linda ka nënvizuar se ka treguar gjithçka për suksesin e saj shqiptar. “Kam dëgjuar fjalë se e kam fshehur karrierën e Shqipërisë dhe sukseset që kam pasur aty, por nuk është aspak kështu. Producentët e dinë mirë karrierën time artistike dhe sukseset e mia të mëparshme. Por në kohën e audicioneve, punoja si trajnere fitnesi, ashtu siç edhe jam prezantuar. Dhe për mënyrën se si prezantohen konkurrentët vendosin producentët”,- ka thënë ajo.

E pyetur se si nisi rrugëtimi i saj në “American Idol”, ku ajo bëri për vete edhe Jennifer Lopez, Linda ka nënvizuar: “Gjithçka nisi si një shaka. Kolegët e punës më thoshin herë pas here pse nuk shkon ta provosh. Nuk e prisja të shkonte kështu. Zgjodha “American Idol” sepse ky është sezoni i fundit që zhvillohet dhe normalisht shikueshmëria do të jetë shumë më e madhe. Vetëm të jesh aty, vetëm të dukesh, është me të vërtetë diçka e madhe. Deri në finale janë edhe 4-5 performanca të tjera, mirëpo nuk mund ta them deri në ç’fazë jemi. Krejt çfarë mund të them është që kam kaluar fazën e parë, atë që keni parë dhe ju, e tani po shpresoj që të dukem sa më mirë edhe në javën e Holliwood-it. Ky talent-show është si një akademi muzikore, në një nivel krejt tjetër me çfarë jam mësuar deri tani dhe unë po mësoj shumë”.

Linda ka tërhequr vëmendjen e amerikanëve jo vetëm për zërin brilant, por edhe për transformimin që ka bërë me trupin e saj. Ajo nuk i ka mohuar komplekset që ka pasur, duke treguar se në moshën e adoleshencës, fjalët e shumta për kilogramët e tepërt e kanë vrarë jo pak nga përbrenda.  

“Kam dëgjuar shumë fjalë asokohe, mirëpo tani jam bërë imune ndaj tyre. Nga ana tjetër, u jam mirënjohëse atyre që më kanë kritikuar sepse kanë bërë që të punoj më shumë dhe t’i përkushtohem shëndetit, trupit. Nga ajo kohë, kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën time. Kam mësuar që për të arritur diçka duhet të punosh shumë. Kam punuar si skllave, deri në atë pikë që edhe muzikën e kam lënë për pak kohë pas dore sepse më duhet të punoja me trupin tim”.      

E pyetur për bashkëpunimet me emra të suksesshëm të industrisë muzikore amerikane, Linda ka shtuar: “Kam kënduar me Stevie Wonder dhe kjo më ka ndihmuar shumë për të performuar në koncerte të ndryshme në Amerikë. Kam takuar Snoop Dogg, kam punuar në studio me R. Kelly, ndërsa për momentin po punoj me London on da Track, producent i njohur në Amerikë. Po punoj edhe me një yll të Hip-Hopit për një bashkëpunim, mirëpo nuk mund ta zbuloj për momentin”.

Përmes “Wake Up”, Linda ka uruar live edhe të atin për ditëlindjen, që e ndiqte nga Zvicra, por edhe vëllain e vogël që e kishte ditëlindjen para disa ditësh.

Top Channel