Bale: Dua të fitoj trofe me Real Madrid

11/01/2016 12:30

Gareth Bale ishte njeriu i ndeshjes së Realit të Madridit në fitoren 5-0 që kjo skuadër arriti ndaj Deportivo la Coruna. Në këtë përballje uellsiani shënoi 3 gola, duke treguar se është në një formë të mirë. Në një intervistë për “Telegraph”, Bale foli për këtë moment të mirë të tij, duke theksuar se ajo që kërkon ai është të fitojë sa më shumë tituj me skuadrën e tij.

“Ndihem shumë mirë. Përpiqem që të argëtohem në fushën e lojës. Luaj më mirë në krahun e djathtë dhe më pëlqen që të gjej pikat e dobëta të kundërshtarit. Ajo që dua dhe për të cilën po punoj shumë është që të fitoj sa më shumë trofe me Realin”, u shpreh Bale, i cili në intervistë foli edhe për largimin e Rafael Benitez dhe ardhjen në pankinë të Zinedine Zidane.

“Më vjen keq për largimin e Benitezit. Kisha një raport shumë të mirë me të, por në futboll këto gjëra ndodhin. Zidane është një legjendë e Realit të Madridit dhe futbollit botëror. Si lojtar ishte fantastik. Ajo që duhet të bëjmë ne është që të shohim përpara. Po japim maksimumin në fushën e lojës dhe duam të arrijmë suksese”, deklaroi sulmuesi.

Në fund, Bale foli edhe për të ardhmen e tij, duke theksuar se në këtë moment është i kënaqur te Reali i Madridit dhe se nuk mund të bëjë asnjë parashikim për atë që mund të ndodhë në një kohë të mëvonshme.

Top Channel