Kosovë, rekomandimet e KE-së për liberalizimin e vizave; problem zyra e Avokatit të Popullit

11/01/2016 12:45

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp nga zyra e kryeministrit.

Edhe pse gjatë takimit komunikata thotë se u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian, bëhet e ditur se të pranishmit dolën në përfundimin se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e zyrës së Avokatit të Popullit, i cili duhet të transferohej në në Pallatin e Drejtësisë.

Sipas komunikatës, kjo ka ardhur si rezultat i moszhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.

Top Channel