Glauk Konjufca në gjykatë për dëmtimin e makinave të EULEX-it në vitin 2009

11/01/2016 12:50

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, të hënën është dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës për seancën dëgjimore lidhur me dëmtimin e makinave të EULEX-it, në gusht të vitit 2009. Konjufca, që ndodhej në arrest shtëpiak për gazin lotsjellës në Kuvend, është njëri ndër 27 të akuzuarit për këtë rast. 5 persona të tjerë po ashtu kanë dalë këtë të hënë para gjykatësit.

Pikërisht mungesa e 21 të akuzuarve të tjerë ka bërë që seanca të dështojë. Gjykatësi Vesel Ismajli e ka shtyrë atë për një kohë të pacaktuar. Lidhur me këtë rast, ndër të akuzuarit janë edhe drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Svecla, sekretari organizativ Dardan Molliqaj dhe zyrtari për informim i kësaj lëvizjeje, Frashër Krasniqi.

Policia e Kosovës ka kërkuar Xhelal Sveclën në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës, pasi nuk e kanë gjetur në shtëpi, dhe sipas zëdhënësit të komunës Erzen Vraniqi, ai aktualisht është me leje pune. Aktakuza ka të bëjë me aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje, ku me 25 gusht në parkingun e EULEX-it, afër stadiumit të Prishtinës, aktivistët e saj dëmtuan makinat e këtij misioni.

Kjo është seanca e gjashtë radhazi e thirrur për këtë rast, ndërsa Vetvendosje vazhdon të mos u përgjgjet thirrjeve të gjykatës, pasi konsiderojnë se po përndiqen nga pushteti.

I vetmi i akuzuar i cili është paraqitur në të gjitha seancat, është ish-aktivisti i Vetëvendosjes, Rron Gjinovci.

Ndër të akuzuarit janë dhe Zgjim Hyseni, Salih Zyba, Besfort Berisha, Sali Mehmeti, Pajtim Demaj etj. I pyetur nga Top Channel, gjyqtari Vesel Ismajli nuk ka konfirmuar nëse është lëshuar urdhër-arrest për të akuzuarit në fjalë edhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar në dhjetor të vitit 2015.

Top Channel