Bashkëpunimi polici-prokurori, Tahiri: Nuk kemi ende vlerësim analitik

11/01/2016 13:30

Prokurori i Përgjithshëm nuk ka pritur të kalojë shumë kohë  nga ankesa e Këshillit të Prokurorisë për mungesë të eficensës së oficerëve të Policisë Gjyqësore që të thërrasë në takim katër krerët e ministrive që i kanë ata në organikë.

Kritikave të fundit lidhur me bashkëpunimin mes policisë gjyqësore të policisë dhe prokurorisë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u është përgjigjur duke u shprehur se ende nuk është bërë një vlerësim analitik.

“Nuk i kemi hyrë ende vlerësimit analitik të rezultateve për secilën strukurë, kështu që do ta bëjmë në vazhdim. Do të ketë tryeza të tjera, e rëndësishme është të koordinojmë për të bërë çështë e mundur që të shkojmë barabartë”, tha Tahiri.

Mesditën e të hënës ministri Tahiri, bashkë me ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani dhe atë të Mjedisit. Lefter Koka është takuar në zyrën e tij me kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Tahiri tha se përsa i përket OPGJ-ve do të ketë edhe përmirësime strukturore. “Do të ketë përmirësime strukturore, burime njerëzore, por janë të gjitha në funksion të zhvillimit të hetimeve penale në kohë dhe rezultate konkrete për të çuar para ligjit ata që shkelin ligjin”, vijoi Tahiri.

Forcimi i policisë gjyqësore ka qënë në fokus të bisedimit mes tre ministrave dhe kryeprokurorit. Të pranishëm kanë qënë dhe drejtorët e përgjithshme të Policisë dhe Tatimeve.

Top Channel