Rivalitet i fortë për Pichichi-n në Spanjë

11/01/2016 14:10

Sezoni 2015/2016 në Spanjë po rezulton si një prej më të rivalizuarit, jo vetëm për faktin se skuadrat e vendeve të para janë shumë pranë njëra-tjetrës, por edhe për atë që është mes futbollistëve për titullin e golashënuesit më të mirë të kampionatit.

Nuk ndodhte që nga sezoni 2007/2008 që sulmuesit pretendentë për këtë çmim të luftonin kaq fort. Në atë kohë, ai që kryesonte listën e golashënuesve ishte Luis Fabiano me 12 gola, i ndjekur nga Diego Milito e Van Nistelrooy me 11 dhe e gjithë kjo ndodhi përpara se Messi e Ronaldo të vendosnin hegjemoninë e tyre.

Që nga sezoni 2010/2011, titulli i shënuesit më të mirë në Primera Division është fituar herë nga argjentinasi e herë nga portugezi, duke regjistruar shifra të paarritshme për pjesën tjetër të lojtarëve. Në këtë sezon, tendenca ka ndryshuar dhe parashikimi është që kjo betejë të jetë shumë e fortë deri në përfundimin e tij.

Aktualisht, listën e goleadorëve në Spanjë e kryesojnë Neymar dhe Luis Suarez me nga 15 gola secili, të ndjekur nga dy sulmuesit e Realit të Madridit, Ronaldo e Benzema me nga 14. Shumë pranë kryesuesve janë edhe Aduriz e Borja Gonzales, dy prej surprizave më të këndshme të këtij kampionati, ndërkohë që spikasin edhe emrat e Aguirretxe dhe Lucas Perez.

Top Channel