Drafti final i reformës, ekspertët e maxhorancës punojnë të vetëm

11/01/2016 15:10

Ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drejtësi po punojnë pa përfaqësuesit e opozitës dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të përmbledhur në një draft çdo propozim që ka bërë secili prej eksperteve për t’ia dërguar më pas Komisionit të Posaçem për Drejtësinë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Jemi duke redaktuar materialin dhe do të diskutojmë edhe propozimet që do të vijnë”, thotë konstitucionalistja, Aurela Anastasi.

Me pjesën e demokratëve nuk do të ketë shumë punë, sepse opozita u largua sapo palët nuk ranë dakort për shumicën e cilësuar në Gjykatën Kushtetuese.

“Mesa di unë ka bërë propozime për problemet e integrimit dhe Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Aurela Anastasi.

Deri tani dy grupet e ekspertëve, që u ulën pak ditë më parë në bisedime me ambasadorin amerikan dhe atë të Bashkimit Europian, kanë dështuar të gjejnë kompromisin sesi dhe me çfarë shumice duhet të zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Që të funksionojë formula kushtetese duhet vullnet politik dhe konstitucionalistja, Aurela Anastasi, nuk iu shmang një pohimi të tillë.

“Çështja që ne kemi trajtuar ka qenë çështja e bllokimit të emërimeve. Nuk mund të krijojmë një formulë që të bllokojë prapë emërimit. Problemi është që të bëjmë një formulë të funksionojë. Është një çështje politike dhe janë të lirë ta zgjidhin mes tyre”, shtoi Anasatasi.

Megjithatë, gjendja nuk është kaq e pashpresë sa duket. Gjatë ditëve të debatit, mes ekspertëve ka patur edhe propozime që të gjitha palët i cilësojne si konstruktive.

Ndërsa dy palët akuzojnë njëra-tjetrën se me shumicën 3/5 që mbështet maxhoranca dhe shumicën 2/3 që mbështet opozita, nuk zgjidhet kapja reciproke politike e Gjykatës Kushtetuese, ekspertët e propozuar nga Ministria e Drejtësisë kanë propozuar një zgjidhje që eliminon bllokimin.

Kjo zgjidhje kërkon që vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese të plotësohen me kandidatë konsensualë, pa shumicë të cilësuar.

Nëse palët nuk janë të afta të arrijnë konsensusin në Parlament, Presidenti propozon për votim një kandidat nga maxhoranca, një kandidat nga opozita dhe për ta kryhet një votim i përbashkët nga të gjithë deputetët dhe të gjithë gjyqtarët e vendit.

Propozuesit besojnë se në mungesë të konsensusit, rritja e trupës zgjedhore për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese eliminon rrezikun e kapjes politike të sistemit gjyqësor, një zgjidhje që deri tani nuk është hedhur poshtë nga asnjëra prej palëve.

Top Channel