Rritja ekonomike, i njëjti ritëm dhe në 3-mujorin e tretë të 2015

11/01/2016 00:00

Edhe në tremujorin e tretë të vitit 2015 ekonomia ka mbajtur të njëjtin ritëm rritjeje si në dy tremujoret e mëparshëm. Sipas Institutit të Statistikave, ekonomia shënoi një rritjeje prej 2.98%. Në periudhën korrik-shtator 2015, dhe kontributin më të madh me gati gjysmën e kësaj rritjeje, e ka dhënë sektori i ndërtimit.

Instituti i Statistikave njoftoi se ekonomia shqiptare u rrit me 2.98 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2015, duke ruajtur të njëtin ritëm si ai i dy tremujorëve parardhës. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë dhe të dytë Prodhimi Kombëtar ishte zgjeruar respektivisht me 2.24 dhe 2.96 për qind.

Por cilët ishin degët që bën të mundur rritjen e ekonomisë në tremujorin e tretë? Sipas INSTAT, sektori lokomotiv ka vijuar të mbetet ndërtimi, i cili në tremujorin e tretë ka dhënë gati gjysmën e gjithë rritjes ekonomike.

Në vendin e dytë, sektori me ndikimin më të madh në rritjen ekonomia ka qenë ai i aktiviteteve profesionale dhe ato administrative. Në këtë degë, e cila ndryshe njihet edhe si shërbimet mbështetëse të biznesit hyjnë Call Center-at, studiot ligjore, agjencitë e udhëtimit dhe studiot arkitekturore. Sipas INSTAT, këto aktivitete kanë kontribuar me 0.53 për qind në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë.

Ndërsa grupi i tretë që ka udhëhequr rritjen ekonomike ka qenë administrata publike si dhe sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, të cilët kanë dhënë 0.51 për qind në shtesën e prodhimit. Sektorët e tjerë kanë shënuar rritje më të ulët të prodhimit ose rënie të tij, ku bie në sy bujqësia. Sipas INSTAT, prodhimi bujqësor u rrudh për të katërtin tremujor me radhë, duke kontribuar negativisht në rritjen ekonomike të vendit.

Shifrat e tremujorit të tretë kanë konfirmuar trendin përshpejtues të rritjes ekonomike ndonëse me ritme të lehta. Në total si 9 mujor, për vitin 2015 prodhimi kombëtar është zgjeruar me 2.74 për qind, nga 2 për qind që ka qenë rritja e tij në të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Qeveria dhe FMN kanë vlerësuar se për gjithë vitin 2015 rritja ekonomike do të rezultojë në 2.7 për qind, po aq sa shifra e 9-mujorit.

Top Channel