Ndihma familjeve në Shijak; Bashkia: Do të pastrojmë dhe lirojmë kanalet kulluese

11/01/2016 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi dhe deputetja e Durrësit, Esmeralda Shkjau së bashku me Bashkinë Shijak dhe me mbështetjen e donatorëve kuvajtianë kanë shpërndarë ndihma në zonat e përmbytura të bashkive Shijak dhe Durrës.

Ministri Blendi Klosi pohoi se problematikat pas përmbytjeve janë të mëdha, ndërkohë që shkak mbeten ndërhyrjet e shumta në shtratin e lumit Erzen dhe në kanalet kulluese për të cilat duhet të merren masa.

“Jemi në një zonë e cila është në shtratin e lumit të vjetër dhe të gjitha këto ndërtime që janë bërë mbi shtratin e lumit e kanë bërë të pamundur menaxhimin e situatave të tilla. Pra, ajo që kërkuam sot pranë Bashkisë së Shijakut është evidentimi i një ndërhyrje që duhet bërë në mënyrë emergjente për të rehabilituar ato që mundemi për të mos ndodhur fatkeqësi të tjera”, tha ministri Klosi.

Deputetja Esmeralda Shkjau theksoi nevojën për të qenë solidarë me të prekurit nga kjo fatkeqësi që e ka burimin te ndërhyrjet në infrastrukturën kulluese.

“Jemi sot duke shpërndarë ndihma për mbi një mijë familje të cilat kanë nevojë për to. Unë dua të falenderoj popullin e Kuvajtit dhe shoqatat që kanë kontribuar në këto ditë”, u shpreh Esmeralda Shkjau, deputete e Durrësit.

Kryetari i bashkisë Shijak Ardian Kokomani shprehet se menaxhimi i situatës së paspërmbytjes është fokusuar te pastrimi i kanaleve, rrugëve dhe shtëpive nga llumi dhe mbetjet, ndërsa thekson nevojën për ndërhyrje në lagjen Erzen ku çdo herë regjistrohen përmbytje familjesh nga vërshimi i lumit.

“Ne kemi nevojë urgjente për ndërhyrje sidomos në këtë pjesë ku ndodhemi tani, e cila quhet lagja “Erzen”, me të njëjtin emër me lumin. Tradicionalisht rreth 20 shtëpi janë përmbytur sa herë që vërshon lumi”, tha Ardian Kokomani, Kryetar i Bashkisë Shijak.

Në Shijak, Sukth e Katund të Ri po vijon verifikimi i dëmeve të shkaktuara nga dalja e lumit Erzen nga shtrati. Paraprakisht nga administratorët lokalë të Bashkisë Durrës dhe Bashkia Shijak deklarohen mbi 900 shtëpi, disa biznese dhe afro 1300 hektarë tokë bujqësore të përmbytura.

Top Channel