Përvjetori i 17 i vrasjes së Enver Malokut, familja: S’do rreshtim së kërkuari drejtësi

11/01/2016 00:00

Gjykata Speciale mbetet e vetmja adresë e familjarëve të veprimtarëve politikë nga radhët e LDK-së, që kërkojnë drejtësi prej vitesh të tëra.

11 janari shënon përvjetorin e 17 të vrasjes së Enver Malokut, një nga figurat kyçe të LDK-së dhe njeri shumë i afërt me Ibrahim Rugovën.

Vajza e tij, sot deputete në Kuvendin e Kosovës, Doruntinë Maloku shpreson se Gjykata Speciale, e themeluar për gjykimin e krimeve të supozuara të UÇK-së, do të punojë edhe në zbardhjen e vrasjeve politike që ndodhën pas luftës në Kosovë.

“Sot është 17-vjetori i vrasjes së babait tim, Enver Maloku. 17 vite nuk janë të lehta, jo për faktin që ke humbur dikë, por për faktin se janë 17 vite pritjeje për drejtësi. Për një drejtësi që është mohuar nga të gjitha sistemet e pasluftës në Kosovë. Familja jonë dhe të gjitha familjet e tjera të të vrarëve politikë në Kosovë, presin që Gjykata Speciale t’i trajtojë rastet e vrasjeve politike, sepse unë mendoj se shoqëria kosovare nuk do të gjejë kurrë rehati, pa hequr barrën e vrasjeve politike. Por, të mos habitet dikush e të mendojë se, nëse Gjykata Speciale nuk i trajton këto raste, ne do të rreshtim së kërkuari drejtësi. Nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur, deri sa të gjejmë drejtësi”, tha Doruntinë Maloku, deputete e Kuvendit të Kosovës, e bija e Enver Malokut.

Kryeministri Isa Mustafa nderoi figurën e Malokut, duke vizituar vendin ku u vra te banesa e tij, në lagjen “Bregu i diellit” në Prishtinë. Mustafa tha se po punohet me përkushtim për zbardhjen e këtij rasti, teksa kujtoi se drejtësia kosovare dhe ajo ndërkombëtare kanë anashkaluar zgjidhjen e vrasjeve politike në Kosovë.

“Hetimet janë bërë në disa faza, e për fat të keq janë lënë anash, duke filluar qysh prej kohës së UNMIK-ut e deri në atë të EULEX-it. Ne do të kërkojmë gjithsesi, që të ketë një gjykatë që do të merret në mënyrë specifike me këto raste. Nëse do të ketë një Gjykatë Speciale që themelohet jashtë, atëherë edhe në vend duhet domosdoshmërisht që organet vendase të merren me këto çështje, të zbardhen të gjitha këto. Ne do të punojmë me Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë, me Gjyqësorin, në mënyrë që të krijohet një hapësirë për të hetuar të gjitha rastet, jo vetëm vrasja e Enver Malokut, por edhe vrasjet e veprimtarëve të tjerë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Enver Maloku ishte udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve ’90 shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve. Ai u vra më 11 janar të vitit 1999, në kohë lufte, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur për drejtësinë kosovare.

Top Channel