Shoqëria civile, kundër TEC-it “Kosova e Re”: Do të rrisë çmimin e energjisë

11/01/2016 00:00

Konsorciumi kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në bashkëpunim me Institutin për Ekonomi të Energjisë dhe Analizë Financiare, kanë publikuar një raport, sipas të cilit termocentrali energjetik “Kosova e Re” është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm për shtetin e Kosovës.

Përpiluesit e raportit theksuan se, ndërtimi i termocentralit të ri nga kompania amerikane “Contour Global” do të rrisë çmimin e energjisë deri në 50 për qind, ndërsa i kanë bërë thirrje Bankës Botërore, që ta rishikojë përkrahjen e saj për Kosovën në këtë projekt.

“Ato çfarë ka siguruar Qeveria e Kosovës prej Bankës Botërore dhe administratës amerikane janë vetëm premtime politike. Këto premtime shkojnë në kundërshtim me politikat dhe standardet e të dyjave, si Bankës Botërore ashtu dhe qeverisë së SHBA-ve, sa i takon ndryshimeve klimatike për të cilat janë të angazhuara. Ne i bëjmë thirrje Bankës Botërore të rikonsiderojë këtë projekt dhe angazhimin e saj në të, pasi do të ketë një impakt jashtëzakonisht të dëmshëm dhe do të ndikojë ndjeshëm në jetën e njerëzve të varfër në Kosovë”, tha Tom Sanzillo, Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analizë Financiare.

“Së pari, familjet mesatare do të paguajnë rreth 12.9 për qind të të ardhurave të tyre, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta rreth 18 për qind. Pjesa që do ta pësojë më keq është pjesa e varfër e shoqërisë, që nuk është e paktë në Kosovë, te të cilët rreth 39.7 për qind e të ardhurave të tyre do të shkojë për pagesën e faturës së energjisë elektrike”, tha Visar Azemi, KOSID.

Duke iu referuar raportit, Azemi tha se kostoja e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” nuk do të jetë një miliard euro, siç ka thënë Qeveria, por – sipas tij, – vetëm kostoja e ndërtimit do të kushtojë 1.35 miliardë euro.

Ndërsa kostoja e vërtetë e termocentralit, kur të përfshihen financimi dhe subvencionet, sipas Azemit do të arrijë së paku në 4 miliardë euro.

Raporti i publikuar nga organizatat e shoqërisë civile thekson se, Kosova ka alternativa të tjera ndaj ndërtimit të termocentralit me thëngjill, me një çmim të paarsyeshëm, duke rekomanduar zbatim të masave për efiçencë të energjisë dhe instalim të energjisë së ripërtërishme, me kosto shumë më të ulët financiare.

Top Channel