Atletikë, Anglia propozon të anulohen rekordet

11/01/2016 00:00

Federata Angleze e Atletikës propozon anulimin e të gjithë rekordeve botërore.

Institucioni më i lartë i atletikës në Britani publikoi një material të cilësuar si “Manifesti për një sport të pastër”, ku ka sugjeruar disa masa me synimin për të zhdukur fenomenin e dopingut që është shfaqur së fundmi në këtë sport.

Propozimi më shokues është pikërisht ai i anulimit të të gjitha rekordeve botërore që janë vendosur në disiplina të ndryshme të atletikës, propozim ky që do të shkaktojë jo pak polemika, pasi në këtë rast nuk bëhet aspak diferenca mes rezultateve të arritura në mënyrë të rregullt dhe atyre me ndihmën e dopingut.

Megjithatë nuk është hera e parë që bëhet një propozim i tillë. Më parë, kjo ka ndodhur në sportin e notit, ku u hoqën të gjitha rekordet e arritura nga notarët në periudhën 2008-2010 kur përdorën superkostumet si dhe në çiklizëm, në garën e orës për shkak të evoluimit teknik të biçikletave.

Por Federata angleze e Atletikës propozoi edhe masa të tjera në luftën kundër dopingut dhe një prej tyre ishte mbajtja e një regjistri publik nga WADA për të gjitha testet që rezultojnë pozitive duke përfshirë vendin dhe kohën.

Të tjera propozime të bëra janë edhe skualifikimi me 8 vjet i sportistëve me doping, përdorimi i pasaportave biologjike për të gjithë pjesëmarrësit në kampionatet botërore, më shumë qartësi në lidhje me substancat që lejohen për përdorim terapeutik.

Sipas rrjetit BBC, e gjithë kjo lëvizje e Federatës Angleze të Atletikes është bërë edhe për faktin se në vitin 2017, botërori  do të zhvillohet në Londër dhe se presidenti i IAAF, Sebastian Coe kërkon të mbrojë postin e tij. Ky i fundit ka bërë një propozim për dyfishimin e buxhetit për testet antidoping.

Top Channel